Orav-Ahmeti, biseduan rreth zhvillimit të negociatave për formimin e qeverisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, priti sot në selinë e partisë në Tetovë Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav.

Ambasadori Orav uroi Kryetarin Ahmeti për rezultatin e arritur nga Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e 27 prillit dhe për mbarëvajtjen e procesit. Gjithashtu, Kryetari Ahmeti dhe Euroambasadori Orav biseduan rreth zhvillimit të negociatave dhe konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Kryetari Ahmeti theksoi që qytetarët shqiptar kanë vlerësuar drejtë platformën e Bashkimit Demokratik për Integrimit bashkë me faktin që BDI ka kërkuar mandat për integrim të vendit në NATO dhe BE, për pajtim, për afrim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike si dhe për zhvillim ekonomik.

Politikat e BDI janë afirmative dhe nga projektet që i realizojmë bashkërisht përfitojnë të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare.

Bisedimet e nisura nga palët që kanë fituar legjitimitetin absolut, tek dy komunitetet shumicë, BDI dhe VMRO DPMNE, kanë nisur dhe po zhvillohen në drejtim të harmonizimit të platformave zgjedhore dhe pikëpamjeve për të ardhmen e vendit dhe marrjen e përgjegjësive më të mëdha në këtë mandat.

Integrimet Euroatlantike janë prioritet i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Kryetari Ahmeti ftoi miqtë  në Bruksel dhe Uashington që bashkërisht të punojmë drejt përshpejtimit të këtij procesi në vigjilje të samitit të NATO në muajin shtator.

Lajme të ngjashme

Back to top button