Nimic: S`ka zhvillim serioz për çështjen e emrit

Ndërmjetësi i OKB-së për emrin, Metju Nimic deklaroi se nuk ka përparim të theksuar për emrin edhe në raundin e ri të negociatave të zhvilluar sot në Nju Jork.

Ai këtë e deklaroi sot pasdite sipas orës amerikane, pas takimeve të zhvilluara me palët negociatore të Shkupit dhe Athinës të udhëhequra nga ambasadori i Maqedonisë në Uashington, Zoran Jolevski dhe nga pala greke diplomati Adamantios Vasilakis.

Nimic pas takimit ka dhënë një mesazh të qartë se të dyja qeveritë pas zgjedhjeve duhet të fokusohen në zgjidhjen e këtij kontesti.

“Mendoj se pas zgjedhjeve në të dyja vendet, dy qeveritë duhet t`i kushtojnë kujdes të madh kësaj çështje që po zgjat gjatë kohë. Ka arsye të forta për të parë se a mund të bëjmë përparim dhe të punojmë rreth kësaj gjatë kësaj vere”, deklaroi Nimic pas takimit të zhvilluar në Nju Jork me dyja palët negociatore.

Nimic ka propozuar që të vizitojë Athinën dhe Shkupin gjatë verës, pasi që të mbyllen ciklet zgjedhore dhe se kjo vizitë parashikohet të jetë nga muaji korrik.
Ai nuk ka zbuluar se do të vij në Shkup dhe Athinë me ndonjë propozim të ri për tejkalimin e kontestit të emrit.

“Nuk është e dobishme që shpeshherë të bëhen propozime të reja, sidomos nëse nuk ka ndonjë zhvillim serioz në këtë proces. Qëllimi është që të arrihet një zgjidhje e pranueshme e ndërsjellët për emrin dhe deri tani rreth kësaj nuk kemi pasur sukses. Në të gjitha negociatat më të rëndësishme janë qëndrimet e të dyja palëve të përfshira. Ndërmjetësi dhe palët e tretë mund të bëjnë diçka, por përfundimisht Athina dhe Shkupi duhet të gjejnë zgjidhje”, deklaroi Nimic. 

Ai kërkoi që të dyja vendet duhet të përkushtohen në tejkalimin e kësaj çështje, të ofrojnë mendime dhe qasje të re drejt problemit për të ardhur tek një zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Back to top button