Fitues jo-legjitim, abstenuesit në numër të madh

Në zgjedhjet e fundit parlamentare jehona e votuesve ka arritur në 62.96 për qind, që sipas njohësve të proceseve zgjedhore është një shifër që garanton legjitimitetin politik të procesit zgjedhor. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 dalja është pak më e ulët, meqë në zgjedhjet e parakohshme, para tri viteve, kanë votuar 63,48për qind e votuesve, ngjajshëm si edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2013, në të cilat votuan 64,81 për qind.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka vlerësuar se kjo shifër dëshmon se zgjedhjet e së dielës ishin legjitime, ndërsa kanë qenë edhe demokratike.

“Ne si Komision Shtetëror i Zgjedhjeve kemi bërë më të mirën e mundshme, që t’i organizojmë zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale në aspektin administrativo- teknik dhe besoj se ia kemi arritu r”, tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Në njësinë e gjashtë votojnë vetëm gjysma e votuesve!

Sipas njësive zgjedhore, dalje më e ulët është shënuar në njësinë zgjedhore numër 6, në të cilën janë të përqendruar shumica e votuesve që kanë përkatësi etnike shqiptare. Në këtë njësi zgjedhore kanë votuar 49.69 për qind përkatësisht 151. 300 votues nga numri i votuesve që gjenden në listën e vetme zgjedhore.

Dalje më e madhe në zgjedhje është regjistruar në njësinë katërt zgjedhore, në të cilën kanë votuar 72,14 për qind përkatësisht 205.398 qytetarë. Në njësinë e parë zgjedhore kanë votuar 214.162 qytetarë ose 71.94 për qind. Edhe në njësinë e dytë zgjedhore është shënuar dalje e madhe në zgjedhje.

Të drejtën e votës e kanë realizuar 184.098 votues ose 60.15 për qind.Dalje të ngjashme ka pasur në njësinë e pestë zgjedhore.Në këtë njësi kanë votuar 175.393 qytetarë, që është 61.23 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve në këtë njësi zgjedhore.Në njësinë e tretë zgjedhore jehona e votuesve ka qenë 70.78 për qind, ndërsa kanë votuar 198.813 votues.

Për dallim nga njësitë e tjera, e gjashta, historikisht ka pasur dalje të ulët të votuesve. Jehonë të ngjashme, ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2011, në të cilat kanë votuar 49,39 për qind. Kjo jehonë është regjistruar edhe në qytetet më të mëdha shqiptare, në njësinë e gjashtë zgjedhore: Gostivar (51 për qind ), Tetovë (56,95 për qind), Dibër (51,24 për qind). Dalje më e madhe në zgjedhje është vërejtur vetëm në qytetin e Strugës (63.13 për qind) dhe Kërçovës (73,34 për qind), që është pasojë e ‘betejës’ zgjedhore, e nxitur nga motive etnike, meqë në këto zgjedhje garonin kandidatë shqiptarë dhe maqedonas, me gjasa të barabarta për të fituar.

Nënkryetari i KSHZ-së,  Subhi Jakupi deklaroi se përqindja prej 49,69 për qind tregon qartë se ‘de jure’ legjitimiteti është në rregull, kur dihet që kjo njësi ka numër të madh të votuesve që punojnë dhe jetojnë përkohësisht në diasporë.

Përqindjet statistikore tregojnë se tek shqiptarët vërehet apati zgjedhore.

Jeton Shasivari: Në këto zgjedhje kishte mbi 35.000 mijë fletëvotime të pavlefshme, të cilat të shoqëruara me pasivitetin e votuesve, dërgojnë porosi racionale politike deri tek aktorët kyç të politikës

Eksperti i proceseve zgjedhore, Jeton Shasivari tha për Inbox7 se njëra ndër veçoritë e këtyre zgjedhjeve ishte abstenimi apo apatia politike, së bashku me numrin në rritje të fletëvotimeve të pavlefshme nga një cikël në ciklin tjetër zgjedhor.

“Në këto zgjedhje kishte mbi 35.000 mijë fletëvotime të pavlefshme, të cilat të shoqëruara me pasivitetin e votuesve, dërgojnë porosi racionale politike deri tek aktorët kyç të politikës shtetërore lidhur me cilësinë e jetës politike në vend, situatën politike, realitetin e ofertave zgjedhore dhe standartin jetësor ”,tha Shasivari.

“S’ka dyshim se numri i madh i abstenuesve zgjedhorë e delegjitimon fituesin e zgjedhjeve, sepse assesi s’mund të neglizhohet fakti se pushteti i fituesit të këtyre zgjedhjeve po përkrahet nga gjysma e gjysmës së trupit të gjithmbarshëm zgjedhor në vend”, specifikoi Shasivari, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë(UEJL)

Zgjedhje jolegale në njësinë e 6-të

Shasivari u shpreh se njësia e 6-të zgjedhore që dominohet nga shqiptarët paraqet shembullin shkollor të pabarazisë së votës, meqë pesha e votës së tyre është shumë më e dobët krahasuar me njësitë tjera zgjedhore.

“E tejkalon pragun maksimal ligjor prej 5 për qind, meqë kjo njësi numëron 32.000 zgjedhës më shumë se sa njësitë tjera zgjedhore”,thotë Shasivari

Shasivari theksoi se sa i përket legalitetit përkatësisht fitimit të ligjshëm të pushtetit, zgjedhjet parlamentare në njësinë e 6-të zgjedhore nuk ishin legale.

Sipas tij zgjedhjet u zhvilluan në kundërshtim me Kodin Zgjedhor në fuqi dhe për pasojë, pushteti në këtë njësi u fitua në kundërshtim me parimin e legalitetit.

“Është absurde që të flitet për legjitimitet pa legalitet, sepse këto dy parime e plotësojnë njëri-tjetrin.Në një demokraci reale, pushteti shtetëror nuk mund të jetë legjitim pa qenë paraprakisht legal”, deklaroi Shasivari.

Pikërisht legaliteti i zgjedhjeve, e jo legjitimiteti politik i procesit zgjedhor, është fusha rreth së cilës opozita maqedonase, ka drejtuar kritika të shumta në adresë të pushtetit, sidomos ndaj VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski, duke mos njohur fare procesin zgjedhor në votimet e dyfishta të 27 prillit./Inbox7.mk

Dalja sipas njësive zgjedhore

Nj. Zgjedhore 1-65.22 për qind

Nj. Zgjedhore 2-60.18 për qind

Nj. Zgjedhore 3-70.80 për qind

Nj. Zgjedhore 4-73.14 për qind

Nj. Zgjedhore 5-61.54 për qind

Nj. Zgjedhore 6-49.69 për qind

Lajme të ngjashme

Back to top button