Tahiri letër kryetarëve të bashkive: Lironi hapësirat publike

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, i ka dërguar një letër kryetarëve të bashkive kryesore në vend. Ai u ka kërkuar atyre që të marrim masa të menjëhershme për lirimin e hapësirave publike, që janë shndërruar në pikë-shitje për automjete. 

Letrën Tahiri ua ka dërguar 14 drejtuesve të bashkive, ku u ka kërkuar që brenda 30 ditëve, të merren masat për lirimin e parkimeve publike, nga mjetet që parkohen për më shumë se 15 ditë në të njëjtin vend dhe për mjetet që parkimin publik e përdorin si pikë-shitje.

“Pushtimi i hapësirave publike në anë të rrugës, duke shërbyer si vend parkimi i përhershëm i automjeteve që nuk lëvizin prej shumë kohësh apo dhe si pikë-shitje për mjetet e përdorura, po nxjerr jashtë qëllimit dhe funksionit të tyre, vetë parkimet publike si hapësira të përbashkëta, duke shkaktuar ngarkesë të pajustifikuar në trafikun urban dhe për rrjedhojë, shqetësim të shtuar për qytetarët”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme. 

Tahiri ka thënë se, strukturat e Policisë së Shtetit janë të  gatshme të bashkëpunojnë me drejtuesit lokalë, duke ofruar ndihmën e nevojshme për lirimin e hapësirave publike brenda afatit.  “Varrezat urbane të mjeteve që nuk lëvizin prej kohësh apo vitrinat publike të shitjes së makinave të përdorura, kanë zaptuar hapësirën publike të destinuar për përdorim nga qytetarët që mjetin e përdorin në mënyrë të përditshme, por njëkohësisht, kanë krijuar pasoja jo të vogla në trafikun qytetas”, nënvizon Tahiri.

Ministri thekson se, mbetet në pritje të një reagimi të shpejtë të njësive vendore, në të kundërt Policia e Shtetit do të veprojë për të liruar vend-parkimet publike dhe duke marrë masat përkatëse. Letra u është adresuar kryetarëve të bashkisë së Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Kukësit, Shkodrës, Vlorës, Sarandës, Peshkopisë, Lushnjës, Pogradecit, Lezhës dhe Kavajës./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button