MPB shpërndau sot materialin zgjedhor

Ministria e Punëve të Brendshme shpërndau sot pa asnjë problem materialin zgjedhor në gjithë vendvotimet anembanë vendit.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska tha seçdo hap është ndërmarrë në përputhje të plotë me kalendarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

“Gjatë periudhës mes dy cikleve zgjedhore, sa i përket çështjes së sigurisë janë regjistruar 9 raste incidentesh, në rajonin e Shkupit, Tetovës, Manastirit, Resnjës dhe Negotinës, incidente këto që shënuan dëme të vogla materiale. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për dritare të thyera të shtabeve politike ose dëme më të vogla, për të cilat MPB-ja po punon dhe vepron në gjetjen e autorëve”, deklaroi Jankullovska.

Ajo ka deklaruar se në raundin e dytë zgjedhor do të rritet numri i forcave të rendit dhe kjo do të thotë se çdo vendvotim do të mbulohet nga përfaqësuesit e MPB-së në pajtim me regullativën ligjore.

“Kushdo qoftë, pa dallim të përkatësisë politike, fetare apo etnike përfshihet në incidente, duhet ta ketë të qartë se përgjegjësia është individuale dhe se liderët e partive politike nuk do të mund t’i shpëtojnë nga përgjegjësia para ligjit”, theksoi Jankullovska. 

Lajme të ngjashme

Back to top button