Ahmeti: Edhe zogjtë e dinë se BDI është fitues absolut i zgjedhjeve

Sonte Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbajti tubim në Gostivar.

“Po ua them një të vërtetë se edhe zogjtë mbi çati e dinë se BDI, bijtë tuaj, janë fitues absolut në këto zgjedhje dhe nuk ka forcë që i del pas e as para. Sepse kanë realizuar, jetësuar qëllimet dhe të arriturat të cilat sot i kemi. Dëgjohen zëra aty-këtu, hyn ky e del ai në qeveri. E tha bukur komandant Talat Xhaferri, legjitimiteti dhe pushteti jepet nga populli dhe ne me luftë dhe gjak kemi fituar një të drejtë që nuk mund ta mposhtë askush – votimin e dyfishtë, dhe po të mos ishte kjo e arritur, pa kuptim do të ishte që shqiptarët të garojnë me parti politike dhe të kërkojnë legjitimitetin se kush do i përfaqësojë, do e vendoste Nikolla Gruevski ose Zoran Zaevi. Por jo, përfaqësuesin e shqiptarëve e vendosin shqiptarët me votën e tyre, sepse ka përfunduar koha kur vendosnin të tjerët. Ushtarët kanë luftuar që populli shqiptar vetë të vendos se kush do i përfaqësojë. Legjitimiteti buron nga populli dhe nuk ka zgjidhje tjetër, u provua në 2006-ën, u bë një eksperiment i tillë i dështuar. Do kisha dashur të mos merreni me këtë temë, harrojeni se ajo është mbyllur në vitin 2002 me Marrëveshjen e Ohrit’, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai ritheksoi se, programi zgjedhor i BDI-së është shumë i gjerë dhe se përmban mbi 1 mijë projekte në të gjitha fushat, që nga investimet ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës e deri te zhvillimi i arsimit, i shëndetësisë dhe i infrastrukturës.

“Përpiqemi me dinjitet që vendi ynë sa më shpejtë të jetë pjesë e strukturave të NATO-s sepse vetëm aty mund të jemi të sigurt. Ne punojmë për të ardhmen e gjeneratave, për të ardhmen e familjes së madhe të kombit shqiptar dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh Ahmeti.

Për sa u përket zgjedhjeve presidenciale, Ahmeti ripërsëriti qëndrimin se ato duhet bojkotuar dhe se nuk duhet votuar asnjë nga dy kandidatët presidencialë.

“Më 27 prill, u thoni edhe të afërme e njerëzve tuaj që nuk janë të bindur në vizionin e BDI-së, e ardhmja është ky program, është ky angazhim i fortë”, tha Ahmeti.

Të tubuarve iu drejtua edhe kandidati për deputet në Talat Xhaferri, i cili tha se ai dhe partia e tij e udhëhequr nga Ali Ahmeti nuk do të tolerojnë asnjëherë nëpërkëmbjen e vlerave dhe të vizionit kombëtar.

“Jemi në të njëjtin vendi ku në ciklin e parë pas 2001-shit i ftuam shqiptarët të dalin dhe të votojnë e të mos kenë frikë, sepse ne jemi ata që i mbrojmë gostivarasit, ushtarët e UÇK-së. Ne sot përballemi me ata që paralajmëruan ‘belatë’ dhe ‘kasaphanat’, por paralajmërojmë se kjo është 2014 dhe jo 2008-ta. Unë do të thotë se po, do të ndodhë belaja e madhe, por për ata që paralajmërojnë të shkojnë në qeveri si nëndegë e VMRO-DPMNE-së. Jemi në mbarim të fushatës në Gostivar, s’do mend se qytetarët kërkojnë përgjigje. Përgjigjja është ‘runa zot prej plehrave’ që na sulmojnë, këtë e thanë vetë ata në vitin 2008 kur u kthyen prej Vojvodës. Dikush në 2009 thërriste ezan prej këtu dhe sot vajton e thotë ‘mjaft më ata në pushtet, se duhet ne të jemi në pushtet’. Nuk e kuptojnë se pushtetin nuk e japim ne, por atë e jep populli. Edhe ata duhet ta marrin prej popullit. Përgjigjen e kanë marrë sonte nga ky shesh i Gostivari”, tha Xhaferi. 

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, para bashkëqytetarëve të tij tha se, nuk duhet pasur dilema se kush do të jetë pjesëmarrësi i ardhshëm i qeverisë, sepse siç u shpreh, “nëse dikush tenton të bëjë qeveri pa fituesin e shqiptarëve atëherë Maqedonia do të thyhet si pasqyrë”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button