Kina ka numrin më të madh të miliarderëve të industrisë së makinave në botë

Kujt ia kishte marrë mendja? Në Gjermani dhe SHBA ka tetë persona që kanë fituar më shumë se një miliard dollarë me shitjen e makinave. E, në tregun në zhvillim të Kinës ka më shumë.

Në të njëjtën kohë me panairin e automobilave në Pekin, revista “Hurun”, që botohet në Shanghai, publikoi një statistikë me 45 miliarderë të industrisë të automobilave, të cilët vijnë nga 13 vende. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara paraqiten së bashku me vetëm tetë miliarderë automobilash. Në krye të listës globale janë tre trashëgimtarët e BMW-së, Susanne Klatten dhe Stefan e Johanna Quandt, të pasuar nga shefi i prodhuesit indian të automobilave Tata, Pallonji Mistry.

Duke patur parasysh faktin se Republika Popullore e Kinës është bërë tashmë tregu më i madh i makinave në botë, nuk është çudi e madhe që vendin e pestë ta zërë ndërkohë kinezi. Ai është Wei Jianjun, shef i grupit më të madh privat të automobilave kinezë, Great Wall Motors.

Miliarderi i dytë kinez i automobilave është Lu Guanqiu me familjen e tij, të cilët me grupin Wanxiang kanë bërë pasuri të madhe si furnizues të industrisë së automobilave. Miliarderët kinezë, që pasojnë, janë Wang Chuanfu i prodhuesit të makinave BYD (Build Your Dreams), që bashkëpunon me Daimler në makinën elektrike Denza, si dhe Li Shufu nga firma Geely që ka blerë markën tradicionale suedeze Volvo.

“Unë jam i befasuar që miliarderët e Kinës udhëheqin në industrinë botërore të automobilave”, tha Rupert Hoogewerf, i cili ka përpiluar listën.

Një ngritje të fortë në grupin botëror të miliarderëve ka amerikani Elon Musk, drejtor i Tesla Motors. Kompania e re amerikane ka bërë emër si prodhuese e automjeteve elektrike dhe sistemeve motorike.

Këtë të diel hapet në Pekin panairi i automobilave, në të cilin deri me 29 prill më shumë se 2000 ekspozues nga 14 vende do të paraqesin 118 prodhime të reja. Një temë e rëndësishme është elektromobiliteti. Në të prezantohen 79 modele makinash me këtë forcë motorike. Duke pasur parasysh kërkesën e madhe të konsumatorëve kinezë, panairi në Pekin është kthyer tashmë në një Mekë të kësaj dege. Megjithatë, shtohen zërat që paralajmërojnë nga rreziku i varësisë të madhe të koncerneve evropiane të automobilave nga tregu kinez.

Klientela e pasur kineze i kushton aktualisht rëndësi hapësirës në makinë. Veçanërisht të kërkuara janë modelet e gjata dhe makinat SUV. Kina është tregu më fitimprurës në botë për prodhuesit e makinave. Meqë makina në Kinë është shprehje e statusit social, blerësit nuk hezitojnë të shpenzojnë shuma të mëdha për makina të mëdha.

Suksesi në këtë treg të madh është thelbësor për objektivat e prodhuesve gjermanë. Nga prodhuesit gjermanë vendin e parë në Kinë e zë Audi. Në tremujorin e parë shitjet e Audit u rritën me 21 për qind, me 124,000 makina, si kurrë më parë në Kinë. Edhe BMW dhe Mercedes arritën shifra rekord me 101,000 dhe 67,000 makina, duke ngritur shitjet me 25 dhe 48 për qind. Daimler i ka vënë vetes qëllim që me markën e tij Mercedes deri në vitin 2020 të jetë sërish numri një në botë, por momentalisht qëndron pas BMW-së dhe Audit në vendin e tretë. Audi ka të njëjtin synim. Të dy janë duke e zgjeruar fort rrjetin e shitjes në Kinë. /DW/

Lajme të ngjashme

Back to top button