Midis Ivanovit, Pendarovskit dhe bojkotit

Afrimi i zgjedhjeve mbanë të pandryshueshëm qëndrimin e partive politike shqiptare për zgjedhjet presidenciale.  Dallimi i votave mes dy kandidatëve presidencial që hyjnë në raundin e dytë, Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski, nga analistët konsiderohet një mbulesë e lehtë, ku përcaktuese do të jetë vota e shqiptarëve.

Dilema që shtrohet është si do të sillen shqiptarët në raundin e dytë të zgjedhjeve për president? Po edhe nëse dalin në raundin e dytë a mund të nxjerrin fitues kandidatin opozitar, Stevo Pendarovski. Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev, i vetëdijshëm se votat e shqiptarëve mund të ndryshojnë rezultatin për sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri, tha se varret nga vetë shqiptarët se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë.

Analisti politik Ramadan Ramadani vlerëson se rrethit të dytë të zgjedhjeve, mund t’u ‘paraprijë’ vetëm PDSH-ja, si subjekt i vetëm shqiptar që mori pjesë në zgjedhjet presidenciale.

“Mbetet të shihet qëndrimi i RDK-së dhe nëse bojkoti i BDI-së do jetë ’terrorizues’ ndaj votuesve. E them këtë sepse në raundin e parë pati njoftime për kërcënime ndaj votuesve”, tha Ramadani.

Sipas tij, nëse analizohen raportet e forcave politike maqedonase, që garojnë në rrethin e dytë, është e qartë se votat shqiptare në vete nuk mund të shkaktojnë ndonjë ndryshim për sa i përket rezultatit përfundimtar.

Nga ana tjetër, profesori universitar, Ylber Sela thotë se shqiptarët duhet të bojkotojnë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Modeli aktual i zgjedhjes së presidentit nuk jep zgjidhje dhe nuk është në interesin e Maqedonisë evropiane”, tha Sela. Sipas tij, rrugën e bojkotit duhet ta ndjekin edhe partitë tjera politike shqiptare dhe të insistojnë për një model të ri, atë të Maqedonisë evropiane, i bazuar ne elementet e multietnicizmit.

Shqiptarët historikisht nuk kanë bojkotuar presidencialet
 
Ndryshe shqiptarët me votën e tyre kanë dëshmuar se mund të bëjnë kthesë sa i përket rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithë këtë fakt, viti 2014 është hera e parë kur shqiptarëve nuk do tu bëhet thirrje politike, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, për të dalë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Edhe presidenti i parë i Maqedonisë, Kiro Gligorov në janar të vitit 1991, i zgjedhur nga Kuvendi i Maqedonisë, ka marrë bekimin e shumicës së deputetëve shqiptarë të Partisë së Prosperitetit Demokratik(PPD).

Ndërsa më vonë të gjitha partitë shqiptare, pa përjashtim, kanë kërkuar nga shqiptarët që të votojnë presidentin në rrethin e dytë. Në zgjedhjet presidenciale, që janë mbajtur në vitin 1994, një pjesë e shqiptarëve kanë mbështetur zgjedhjen e presidentit Kiro Gligorov, pas thirrjes së PPD-së.

Aritmetika zgjedhore tregon se në vitin 1994 shqiptarët nuk patën rol vendimtar në zgjedhjen e presidentit. Pikërisht kjo ka ndodhur në vitin 1999, kur president u zgjodh i ndjeri Boris Trajkovski, edhe pse komuniteti ndërkombëtar atëkohë pati shumë vërejtje sa i përket rregullshmërisë së procesit zgjedhor.

Në raundin e parë kandidati i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Tito Petkovski kishte 343.606 vota, ndërsa Boris Trajkovski 219.098 vota. Pas raundit të dytë, Petkovski fitoi 509.933, ndërsa Trajkovski 449.026 vota. Pas rivotimit në 230 vendvotime të njësive zgjedhore, në të cilat u anulua rezultati, Trajkovski pati 582.808 (52.40%), ndërsa Petkovski 513.614 vota(46.18%).

Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) fshehtas, ka mbështetur presidentin Branko Cërvenkovski në vitin 2004 dhe së fundi Gjorgje Ivanovin në vitin 2009. Në zgjedhjet e 27 prillit duket se një skenar i viteve 1994, 2004 e veçanërisht i vitit 1999 nuk mund të paramendohet dhe është thuajse i parealizueshëm!  

Lajme të ngjashme

Back to top button