USHT, Promovohen poezitë e Ali Podrimjes të përkthyera në shqip

Në sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës mbrëmë u promovua antologjia dygjuhësore me poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja “Viatique”. Vepra në fjalë është përkthyer dhe përgatitur në shqip e frëngjisht nga përkthyesi Alexandër Zoto. 

“Mirë se keni ardhur në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore për USHT-në, për qytetin e Tetovës dhe më gjerë! Universiteti ynë i ka dyert e hapura për evenimente të këtilla, veçmas kur bëhet fjalë për vepra të rëndësisë së veçantë, siç është përmbledhja antologjike e z. Aleksandër Zoto, të poezive të Ali Podrimjes, që sigurisht do të ketë ndikim në përafrimin e mëtejmë të kulturës shqiptare me atë franceze, me të cilën ka qenë e lidhur që në fillet e saj që datojnë nga Humanizmi dhe Rilindja e madhe evropiane. Duke e falënderuar përzemërsisht botuesin e këtij libri dhe njeriun që e përktheu dhe përgatiti atë me shumë kompetencë profesionale, z. Aleksandër Zoto, uroj që ky takim t’i shërbejë pikërisht thellimit të komunikimeve të ardhshme në të mirë të kulturave të dy popujve tanë miq”, tha mes tjerash Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.


“Ky është vëllimi i tretë i Ali Podrimjes i botuar në gjuhën frënge, do u them është autor që me tre vëllime është prezantuar përpara lexuesit francez. Nga biseda me profesorin Aleksandër Zoto më tha se në rrugë është edhe një botim tjetër i rëndësishëm i në frëngjisht i poezisë së Ali Podrimjes, gjithnjë nën kujdesin e profesorit, që kësaj here një nga revistat prestigjioze letrare ia kushton një numër të vetin poezisë së Ali Podrimjes, që në të vërtetë do të jetë një vepër në vete, ku do të ketë poezi të reja të pa përkthyera deri tani. Libri në fjalë ka nisur të realizohet sa ka qenë gjallë Ali Podrimja, domethënë parapërgatitjet e para, konsultimet me të janë bërë disa muaj para se Ali Podrimja të mos jetë në mesin tonë. Unë ta nisi që këtu, si një poet, në bazë të statistikave që kam unë është poeti më i përkthyer shqiptar për jashtë, jo shkrimtar por poet dhe ai së shpejti do të ketë katër vëllime në Francë, dy nga të cilat botohen pas vdekjes së tij, qysh i ka hapur rrugët në mënyrë kaq të sigurt poezia e Ali Podrimjes, para se gjithash është një poezi që nuk e njeh gjuhën e urrejtjes. Ali Podrimja është një nga poetët e parë, është i lindur në fillim të viteve 40 të shekullit të kaluar dhe në fund të viteve të 50-ta, ai u paraqit si poet gati i formuar, i talentuar”, tha akademiku, Ali Aliu.

“Kjo është një meritë e veçantë, merita e parë e poezisë të Ali Podrimjes. Si dhe ne shqiptarët e kemi si një autor emblematik, Ismail Kadarenë, sa i përket prozës, sa i përket identifikimit të shqiptarëve në përgjithësi në Evropë. Në një periudhë ka pasur më shumë njerëz që e kanë njohur emrin e Kadaresë, por jo edhe emrin e Shqipërisë. Domethënë, aq shumë ka bërë vepra e tij letrare, shpesh herë ia kam bërë pyetjen vetes, Kosova a e ka pasur poetin e vet emblematik siç ka qenë Kadareja për Shqipërinë, ose për shqiptarët në përgjithësi. Duke e përcjellë punën e Aleksandër Zotos me veprën, me përmbledhjen, me antologjinë, si i thotë ai në mënyrë modeste, të poezisë të Ali Podrimjes kjo është vepra e tretë dhe ai po bëhet me të vërtetë një institucion i rëndësishëm i shqiptarëve, mund të artikulohet bota e Ali Podrimjes e cila bëhet edhe një zë i rëndësishëm i cili mund të identifikohet tragjizmi i Kosovës”, tha Luan Starova.

“Botimi me poezitë e Ali Podrimjës, siç u tha nga akademikët, ka pasur hapa të mëparshëm në depërtimin e poezisë së Ali Podrimjes në Francë, madje para kësaj antologjie ku përfshin poezitë nga të parat, e kisha përkthyer dhe ishte e pranishme në shumë revista franceze në atë kohë dhe pastaj erdhi koha për ta botuar si libër. Për mua shtegtimi i këtyre botimeve është një çështje sa miqësie po aq edhe letrare, nga se u lidha nëpërmjet poetit dhe mikut tim të përbashkët Eqrem Basha me Ali Podrimjen, që nga fillimi i viteve të 80-ta. Botimi i ardhshëm në atë revistë që do t’i kushtohet posaçërisht poezive të Ali Podrimjes do të përfshijë po ato poezi të marra nga vëllimi ,,Buzëqeshje në kafaz” dhe në tërësi i ka të përkthyera prej kohësh, por që s’dolën, dhe disa prej tyre janë në këtë vëllim, se përmban poezi nga më shumë përmbledhje të Aliut, ku kemi botuar përafërsisht nga pesëdhjetë poezi. Por, në sirtar më mbeten edhe mjaftë poezi të tjera të cilat do të dalin në të ardhmen”, tha përkthyesi i veprës, Aleksandër Zoto.

Lajme të ngjashme

Back to top button