Ngrihet padi penale kundër pesë punonjësve të policisë

Në dy raste të veçantë Sektori për Kontroll të Brendshëm dhe standarde profesionale pranë MPB-së ka ngritur padi penale kundër 5 punonjësve policorë. Në njërin rast është ngritur padi penale për keqtrajtime dhe veprime çnjerëzore e poshtëruese ndaj dy policëve me inicialet I. M. 33 vjeç dhe Gj. A. 40 vjeç, që të dy nga Shtipi. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska tha se me datë 28 janar të këtij viti policët e lartpërmendur kanë keqtrajtuar një të dyshuar për vjedhje duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“Kur nga ana e dy punonjësve të policisë, autori i krimit është gjetur në një klub nate, ata kanë informuar shefin e turnit në stacionin policor se personi i dyshuar mund të jetë keqbërësi potencial. Por pas kontrolleve të realizuara, u është thënë që ta lirojnë, deri në sigurimin e informacioneve shtesë. Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar edhe dy policë të tjerë të cilët e kanë shtrirë përtokë personin e dyshuar, duke e goditur me shqelma dhe me grushte në kokë dhe trup. Pas dërgimit të të dyshuarit në furgonin e policisë, njëri nga policët ka vazhduar ta godasë atë fizikisht’, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Ndërkohë në rastin e dytë, Sektori për Kontroll të Brendshëm dhe standarde profesionale në MPB, ka ngritur padi penale kundër tre punonjësve të policisë me inicialet S.S 34 vjeç, I.S 36 vjeç dhe D.G 46 vjeç që të tre të punësuar në stacionin policor për Kontroll Kufitar në Deve Bair. Të tre policët akuzohen se gjatë gjithë vitit 2013 e deri tani, i kanë mundësuar një qytetareje bullgare, të hyjë në Maqedoni, edhe pse kishte tejkaluar aftin e qëndrimit në vend. Jankullovska informoi se gjatë tre muajve të parë të këtij viti Sektori për Kontroll të Brendshëm dhe standarde profesionale në MPB ka regjistruar 399 raste kur zyrtarët policorë kanë tejkaluar kompetencat e tyre. 

Lajme të ngjashme

Back to top button