Unitare apo federale, unike apo e përbashkët?!

Këto fjalë janë bërë tashmë pjesë e fjalorit të përditshëm në skenën politike dhe kanë zënë të na “dhëmbin” veshët prej konotacionit të tyre të ri dhe të shtrembëruar, të shmangur nga burimi fillestar, dhe të përdorura për nevojat e paradoksit të perditshëm politik ballkanik. Sado që njeriu të jetë i qetë dhe i duruar nga natyra, s’mund të mos e humbi durimin dhe të protestojë kundër bastardhimit gjuhësor që u bëhet këtyre fjalëve!

Në fakt, fjala ‘unitare’ është relative me një ‘unitet’ apo një njësi, kështu që i bie që këta të jenë sinonime, pasi fjala UNITARE i referohet kuptimit ‘TE NJEJTE’ si p.sh. disa objekte janë shitur me të njëjtin çmim. Nga ana tjeter, fjala UNIKE definohet si cilësia e asaj që përbën një tërësi por edhe si karakteri i cili është I VETEM dhe i bashkuar.

Kur e krahasoj kuptimin fillestar të fjales unitare me kuptimin e tashëm të atyre që edhe vetë s’e dijnë nëse i pyet hollësisht, por që me këtë nënkuptojnë se kur rrezikohet unitarizmi i shtetit, në fakt rrezikohet si një shtet i vetëm dhe i njëjtë për të gjithë. Nëse themi se Maqedonia është shtet I VETEM i maqedonasve, atëherë nuk është njëkohësisht VETEM I maqedonasve dhe rrjedhimisht nuk është I NJEJTE për të gjithë!

Pastaj, është pikëpyetje se a është Maqedonia shtet i vetëm me këtë emër, sepse ekziston edhe një krahinë në Greqi me të njëjtin emër dhe kjo nuk është e këtyre maqedonasve me prejardhje sllave, por e maqedonasve antikë. Koincidenca e emërtimit gjeografik dhe pretendimet politike të përfaqësuesve të disa partive maqedonase mbi autorësinë ekskluzive të këtij emri, në emër të trashëgimisë dhe vazhdimësisë historike autoktone të popullit antik maqedonas, si konglomerat apo përzierje autentike me një popull sllav të ardhur në shek. VI e më vonë, domosdoshmërisht ka sjellur deri në kontestin aktual politik mbi pronësinë etimologjike të këtij emri si preventivë për pretendimet e ardhshme territoriale të atyre që sot ia kanë dhënë vetes të drejtën të quhen maqedonas antikë, dhe nesër mund lirisht të pretendojnë në pronësinë edhe mbi territoret ku dikur kanë jetuar këta maqedonas antikë.

Pikërisht ky kontest linguistik e dëshmon se Maqedonia nuk është historikisht shtet i vetëm i maqedonasve, sepse rezulton se nesër në bazë të ndonjë ndryshimi eventual të konstelacionit të forcave, edhe maqedonia greke mund të bëhet shteti i dytëë i maqedonasve që sot e quajnë veten pasardhës të fiseve antike maqedonase me banim në trojet e sotme greke.

Nga ana tjetër, kontesti i sotëm ndërmjet popullatës shqiptare dhe maqedonase rreth faktit se ky shtet nuk është “VETEM” i maqedonasve por edhe i shqiptarëve në bazë të pronësisë ideale demografike, poashtu e demanton faktin se ky shtet nuk është unitar në kuptimin e pronësisë reale demografike 1/1, dhe as unik në kuptimin e trashëgimisë historike dhe autoktone të këtyre territoreve.

Edhe protestat aktuale politike të udhëhequra me parullën: “За заедничка Македонија” që d.m.th “Për Maqedoni të përbashkët”, na sjellin te një gabim tjetër gjuhësor të atyre që i propagandojnë të njëjtat. Në fakt, matematikisht që të jetë një gjë e përbashkët duhet të jenë së paku 2 entitete! Më e saktë do të ishte ” За единствена Македонија” dmth. “Për Maqedoni unike” = vetëm të 1 entiteti! Kjo i bie të mos dish për çka proteston, sepse intenca e Platformes dhe koalicionimit qeveritar të pas këtyre zgjedhjeve është për krijimin i një Maqedonie të përbashkët=të maqedonasve dhe të shqiptarëve, etj. ndërsa ata që protestojnë me këtë parullë, del se protestojnë për diçka që tashmë është në krijim e sipër. Me një fjalë nuk ka arsye për të protestuar!

Pra, që ky shtet të jetë i përbashkët, i më shumë se dy bashkësive etnike, kjo duhet të reflektohet edhe në dokumentacionin përkates juridiko-kushtetues, ku pronësia e përbashkët do të duhej të reflektonte edhe pronësine ideale demografike, ku ne shqiptarët do të kishim hisen tonë ideale prej 1/4 apo 1/3 mbi territoret aktuale të Maqedonisë, që detyrimisht na sjell deri te domosdoshmëria e ridefinimit politik dhe terminologjik të emrit apo të rregullimit juridik shtetëror të këtij shteti që do të reflektonte edhe përkatësinë e përbashkët, që kurrsesi nuk do duhej të ishte unitariteti, perveç në aspektin e kufizimit të jashtëm territorial të shtetit, por jo edhe në kuptimin e ndarjes administrative brenda territorit, qoftë si federatë teritoriale apo asimetrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button