Shamia/mbulesa si imazh rikujtues

Imazhi rikujtues i saj është sikur i një guri të çmueshëm që shkëlqen duke përthyer rrezet e dritës, mirëpo vërtetësinë e origjinalitetit të tij e vëren vetëm njohësi i asaj fushe. Nëse shamia shërben si rikujtues i mesazhit të rrugës që ndjekin muslimanët, kurreshtarët do ta zbulojnë thesarin e kësaj rruge kur do të nxiten ta hulumtojnë dhe njohin atë!

Shkruan: Fitore Haziri

Si qenie komplekse që jemi, përceptimin e botës përreth e bëjmë përmes shqisave që i përcjellin informacionet në tru, ku përpunohen, depozitohen, kthehen prapa përgjigjet e nevojshme, të cilat manifestohen në forma të ndryshme reagimi e ndjesie prej nesh. Rrjedhë e vazhdueshme imazhesh na përcjellë që nga dita kur aktivizohet shqisa e të parit, duke luajtur rol të jashtëzakonshëm në njoftimin, kuptimin, mbajtjen në mend, kujtimin e rikujtimin e gjithçkaje që na rrethon. Shqisë kjo që është një ndërmjetës shumë i rëndësishëm e që na definon në shumë dimensione si qenie, duke qenë prej prurësve të asaj që vie nga jashtë, për të ndihmuar më pas ndërtimin e brendshëm.

Imazhi shpesh bën diferencën, nga mënyra se si reagojmë nga ky stimul vizuel. Pa diskriminuar shqisat tjera, stimujt imazherik që gjatë tërë kohës barten e përpunohen, depozitohen si memorie, janë qenësor në determinimin e asaj se kush jemi, ku jemi dhe ku është vendi jonë në këtë botë. Kjo memorie që gjatë gjithë jetës përpunon e depoziton, shlyen e regjistron, është prej elementeve kyçe që na bën neve krijesat më të përsosura të rruzullit, ata që pikërisht jemi.

Por para së gjithash, imazhet indukojnë një sërë ndjenjash e emocionesh që lidhen me të vetëdijshmen e të pavetëdijshmen, që bën lidhjen mes asaj që shohim, dhe asaj se çfarë ndjenja, mendime apo kujtime ngjallë ajo që shohim. Shumë shpesh nga ajo se çfarë shohim përcaktohen pozicione, krijohen opinione, nxirren konkluza dhe shtrohen gjykime e paragjykime. Varësisht se çfarë informacioni është depozituar në memorie, dhe ndërlidhja e saj me kohën, vendin, madje edhe sasinë dhe saktësinë asaj informate, ne reagojmë në forma dhe mënyra prej më të ndryshmeve. Aspekti përmbajtësor i kësaj memorieje është ai që specifikisht e përcakton pozicionin, qasjen dhe reagimin karshi një imazhi të shfaqur, duke shërbyer si ndërlidhës i asaj që përceptohet nga shqisa, dhe përmbajtjes së sasisë së informacioneve që posedojmë në lidhje me atë imazh.

Sa i përket shamisë si obligim dhe urdhër që duhet ta përmbushë çdo besimtare, dispozita është e qartë me të gjitha karakteristikat dhe rregullativat e bartjes së saj. Shamia në thelb është shenjë e devotshmërisë, ngritjes shpirtërore dhe afrimit me Zotin. Secila vajzë që ndërmerr këtë hap drejt përmbushjes së këtij obligimi, ka lexu, hulumtu, meditu, analizu, konsultu, e pastaj e ka përmbushë atë që Zoti i saj ka kërku nga ajo si besimtare dhe pasuese e rrugës së Tij. Shkurtimisht ky është definimi më bazik i shamisë në Islam, sado që shumë shpesh duhet të flasim pikërisht për këtë thelb, duke e pasë parasysh se sa sulmohet, paragjykohet dhe tentohet të shtrembërohet kuptimësia e saj e vërtetë.

Shamia përderisa është veshje që përfaqëson pikërisht imazhin e një vajze muslimane, me automatizëm shpërfaqë të gjitha rregullativat fetare Islame në raport me shaminë si obligim fetar, si plotësim i një urdhëri të Krijuesit, si përkushtim ndaj Zotit dhe karakteristikat përcjellëse të mbulesës islame. Ky definim është mainstream-i i imazhit që servon shamia për atë që ka informatën të regjistruar saktë në memorie, sa i përket Islamit si fe dhe dispozitat përcjellëse të tij, dhe natyrisht këtu do të mundohem të qëndroj, pa eskploruar shumë qasjet tjera që janë të mveshura me paragjykime dhe injorancë.

Duke qenë muslimane që bartë shami, je vetë imazhi që përcjell shamia, tek vetja fillimisht, dhe tek secili që të sheh si të tillë. Nga vajzat që e bartin atë me përkushtim e dashuri, është ajo copë tekstili që të kujton në mënyrë të vazhdueshme synimet dhe qëllimet e vetë ekzistencës tënde. E keni parasysh ndonjë suvenir të çmuar që e keni dhuratë nga një person i zemrës, dhe çdohere që e shihni, që e kapni në duar ose e bartni, mendojeni se si ndjeheni, çfarë emocione ju kaplojnë dhe me sa mall e kujtoni! Dhe natyrisht, sa më i çmuar dhuruesi i dhuratës, aq më e dashur dhurata dhe aq më të fuqishme ndjenjat e emocionet. Një prej emrave të Zotit është Dhurues, dhe përveç që na ka dhuruar jetën dhe pafundësisht mirësi, disa prej mënyrave të afrimit me Të, të bëjnë të kuptosh domethënien e vërtetë të disa dhuratave specifike. Unë shaminë e konsideroj të tillë. Nëse përhumbemi në vështirësitë e kësaj bote, ai rituali i thjeshtë i vendosjes së shamisë, është prej mënyrave të rikujtimit të asaj se kush je, ku je, kah po shkon! Ndoshta për shumëkë tingëllon e thjeshtë, e parëndësishme, e pakuptimtë, mirëpo përderisa kemi të bëjmë me ndjesi subjektive, do të thoja se kjo përjetohet, dhe shpesh gjej vështirësi në përshkrimin e vërtetë të të tilla ndjesive.

Përtej ndjesisë e imazhit, shamia është një lloj ambasadori që bartë pankartë të madhe në aspektin e rikujtimit të disa prej bazamenteve themelore në çështjet e fesë dhe besimit. Meqenëse imazhi i femrës me shami përfaqëson drejtpërdrejtë muslimanen dhe shaminë si obligim fetar, ajo gjithashtu shërben në të njëjtën formë si rikujtim i porosisë që bartë shamia: shenjë e devotshmërisë dhe ngritjes shpirtërore. Madje në memorien tonë kolektive femra me shami përfaqëson dikë që ka arritur shkallën më të lartë të kësaj ngritjeje. (Biles shpeshherë, në situata të ndjeshme, “sherri” i këtij përkufizimi për vajzat me shami, për “gabime” të vogla ose ndonjë sjellje të ashtuquajtur të pahijshme për një vajzë me shami, na vë para aktit të kryer.)

Aspektit teknik të regjistrimit të informacioneve në memorien tonë, vetëmse i bëra një rishikim të shpejtë të trajektores që ndjekin stimujt e tillë, dhe natyrisht shpesh kemi nevojë për “refresh” të asaj që e kemi të depozituar. Na ndodh që pikërisht këta stimuj vizuel janë shkaqet e rikujtimit për gjëra që i ka mbuluar pluhuri i shkujdesit dhe i harresës. Shamia shpesh është imazhi rikujtues, thirrës dhe afrues drejt shkallëve të ngritjes dhe afrimit me Krijuesin. Shumë shpesh shërben si oguri i kthimeve të papritura drejt dritës së vetme.

Është i pamohueshëm impakti që ajo ka, sado që për fat të keq ia mveshin vetëm aspektin sipërfaqësor të bartjes së mesazhit që ka Islami si fe, për fat të keq edhe prej taborrit të disa muslimanëve. Vajzat që e bartin shaminë dhe ata që e kuptojnë thelbin e saj, e dijnë se rrënjët e saj janë tek bindja dhe besimi. Ajo nuk ka çmim material dhe ajo nuk është lustra zbukuruese sipërfaqësore e asnjë bartëseje të saj! Çmimi i vetëm dhe rrënjët e vetme të saj janë në zemrat e mbushura me bindje e besim në Zotin e botërave. Imazhi rikujtues i saj është sikur i një guri të çmueshëm që shkëlqen duke përthyer rrezet e dritës, mirëpo vërtetësinë e origjinalitetit të tij e vëren vetëm njohësi i asaj fushe. Nëse shamia shërben si rikujtues i mesazhit të rrugës që ndjekin muslimanët, kurreshtarët do ta zbulojnë thesarin e kësaj rruge kur do të nxiten ta hulumtojnë dhe njohin atë!

Nëse bota ku jetojmë jetën e përbotshme, si trajektore të saj ka rrotullimin rreth boshtit dhe rrotullimin në orbitë rreth diellit, ka njerëz që janë botë, mirëpo ecin në dy këmbë dhe trajektorja e rrugës së tyre është është përtej kësaj bote fizike e materiale. Mesazhin përveçse në zemër, në fjalë dhe në vepër, ne, të nderuar, e bartim mbi kokë, si kurorë nderi dhe devotshmërie!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button