Ambasada amerikane përkrah objektet kulturore

Xhamia e Larme në Tetovë, Hamami i Daut Pashës në Shkup, Kisha “Shpëtimtari i Shenjtë” si dhe 8 objekte të tjera me vlerë kulturore janë pjesë e projekteve që Ambasada Amerikane në Maqedoni ka mbështetur financiarisht përmes Fondit të Ambasadorit për ruajtje të trashëgimisë kulturore.

 Financimi është shtrirë në harkun kohor 12 vjeçar, nga 2001 deri në 2012, dhe këto vepra janë shpalosur përmes një botimi mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e veprave kulturore.

‘Ne besojmë në vlerat e ndarjes së traditës me të tjerët. Këto lokalitete do të shërbejnë jo vetëm si përkujtues historik, por gjithashtu edhe si ura për të ndërtuar lidhje më të fuqishme të mirëkuptimit të ndërsjellë në botë. Ne jemi krenar që përmes Fondit të ambasadorit për ruajtje të kulturës kemi investuar mbi një milion dollarë vetëm në Maqedoni’, u shpreh Poll Uollers, ambasador i SHBA-së në Maqedoni,transmeton Alsat.

Nga viti 2001, përmes Fondit të Ambasadorit, ambasadat amerikane kanë përkrahur mbi 750 projekte të trashëgimisë kulturore e fetare në më shumë se 120 shtete të botës. Shuma përllogaritet mbi 26 milion dollarë. Vetëm në Maqedoni nga ky fond i ambasadorit janë ndarë 1 milion dollarë. Pjesë e këtij projekti mbështetur në frymën e mirë të ndarjes së traditës, është edhe Shqipëria, Kosova e Mali i Zi.

Lajme të ngjashme

Back to top button