Liga arabe dhe BE, thirrje për luftë të përbashkët antiterror

Liga Arabe dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta në parandalimin dhe luftën kundër terrorizmit, pas takimit ministror i cili ka përfunduar të martën në Kajro të Egjiptit, raporton Anadolu Agency.

Mbledhja e 4-të e ministrave të Ligës Arabe dhe BE-së u ndoq edhe nga shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul-Gheit.

Duke iu drejtuar takimit, Mogherini dënoi sulmet e fundit terroriste në Egjipt, Jordani dhe Gjermani si dhe vrasjen e ambasadorit rus në Turqi.

“Bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm mënyra më e mirë, por ndoshta është mënyra e vetme që kemi në dispozicion për të trajtuar krizat me të cilat përballemi të gjithë ne”, tha Mogherini.

Ajo shtoi më tej se konfliktet në Libi, Siri dhe Jemen kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi BE-në.

“Bashkëpunimi i fortë rajonal është çelësi për t’i dhënë fund të gjitha krizave të tanishme”, tha shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

“Bashkimi Evropian ka një rol të drejtpërdrejtë në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë Lindjes së Mesme. Ne jemi të gatshëm për të mbështetur paqen me të gjitha mjetet tona, përmes diplomacisë, ndihmës humanitare, përmes tregtisë dhe bashkëpunimit për zhvillim”, tha ajo.

Abul-Gheit, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit arabo-evropian, për çka bëri thirrje për mobilizim të forcave për të gjetur zgjidhje politike për konfliktin gjashtëvjeçar në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button