Matematikat zgjedhore, çfarë thamë e çka na doli

Në periudhën parazgjedhore për portalin Portalb kam bërë një seri shkrimesh e analizash për matematikat e secilës parti shqiptare në katër njësitë zgjedhore ku garojnë ato. Tani rezultatet na detyrojnë që këto parashikime t’i përballojmë me atë çfarë ndodhi në të vërtetë ditën e zgjedhjeve. Pasi secila njësi zgjedhore ka specifikat e saj nuk ka hapësirë që të gjitha të analizohen në një kolumnë të vetme, prandaj në të ardhmen doemos do të shqyrtojmë secilën në veçanti. Por për momentin do të mjaftojë një konstatim i asaj që zaten ju ka interesuar më së tepërmi lexuesve, gjegjësisht rezultatet totale. Këtu pra do të shkëpus vetëm ato pjesë ku kam prognozuar rezultatet e mundshme në secilën njësi, për të parë si ballafaqohen ato prognoza me rezultatin zgjedhor.

Kolumnat origjinale mund të gjinden këtu:

Matematikat zgjedhore, zona numër 1

Matematikat zgjedhore, zona numër 2

Matematikat zgjedhore, zona numër 5

Matematikat zgjedhore, zona numër 6

Zona 1. Rezultatet e mundshme. Nëse votat shqiptare ndahen me precizitet kirurgjik, ka mundësi teorike që secila parti këtu të fitojë nga një deputet, me çka ruhet totali i katër deputetëve shqiptarë. Një skenar i zi mund të ndodhë në kahje të kundërt: tre parti të kenë nga 8.000 vota dhe e katërta 15.000 mijë. Kështu del vetëm një deputet shqiptar, ndërsa rreth 30 mijë vota digjen totalisht. Faktor shtesë komplikues mund të paraqesë LSDM-ja e cila mund të tërheqë një numër votuesish shqiptarë, sidomos nga “lluft”-votat shqiptare të Sopishtes, Karposhit, Qendrës e Aerodromit.

Rezultati real megjithatë do të jetë diku në mes. Unë mendoj se partitë shqiptare në këtë njësi do të nxjerrin dy ose tre deputetë. Grumbulli i madh i ish-votuesve të BDI-së dhe votuesve fluidë të DR-së e RDK-së ju japin përparësi BDI-së e Besës për të fituar nga një deputet. I treti duhet të kërkohet nga beteja mes PDSH-së e LR-PDSH-së, të cilët në rastin më të keq mund të ngelin pa asnjë deputet.”

Parashikimi këtu ka dalur tejet i saktë. Besa dhe BDI pa problem kanë fituar nga një deputet, por kanë qenë larg të dytit. Aleancës dhe PDSH-së nuk ju kanë mjaftuar votat për të fituar ndonjë deputet.

 

Zona 2.“Rezultatet e mundshme. Në skenarin më të keq për partitë shqiptare, mund të ndodhë që me dalje të madhe tek maqedonasit pragu zgjedhor të rritet, dy parti të fitojnë nga 15.000 vota, dy tjerat nga 7.000, dhe me këtë shqiptarët të përfundojnë me vetëm dy deputetë. Në rastin më të mirë njëra parti mund të mbledhë mbi 16.000 vota dhe tre tjerat nga 8.000-9.000, me çka zona përsëri do të nxjerrë pesë deputetë shqiptarë.

Në realitet pak janë gjasat që votat të ndahen në mënyrë kaq precize, qoftë për skenarin minimal, qoftë për atë maksimal. Realisht duhet të pritet që të përsëritet rezultati i vitit 2011 kur shqiptarët këtu nxorrën katër deputetë. Kjo edhe për faktin që një numër votash shqiptare këtë rradhë do të shkojnë në konton e LSDM-së.

Nëse do duhej t’i ndajmë këto katër deputetë nëpër parti, do të thoja që tre deputetët e parë do t’u takojnë BDI-së, PDSH dhe Besës. Deputeti i fundit duhet të kërkohet mes të dytit të BDI-së, të dytit të Besës dhe të parit të Aleancës.”

Pragu për një deputet këtu vërtetë është rritur nga 7.500 në rreth 8.200. BDI dhe Besa pa problem kanë siguruar deputetin e parë, ndërsa ka dështuar PDSH. Megjithatë ashtu siç kam prognozuar zona u bë fushëbetejë mes BDI-së dhe Besës. BDI këtu ka shpëtuar për një fije peri, pasi ka mbrojtur deputetin e dytë për vetëm 480 vota. E pafat ka dalur lëvizja Besa të cilës i kanë munguar vetëm 260 vota për të dytin. Duke patur parasysh ankimimet e Besës dhe ndodhitë në KQZ ku me çdo kush u mbrojt VMRO-ja, është reale të thuhet se Besa këtu vërtetë ka patur deputetin e dytë, por ai i është vjedhur në tavolinë.

 

Zona 5. Rezultatet e mundshme. Në rastin më të keq, nëse dështojnë Aleanca dhe Besa, shqiptarët mund të ngelin me një deputet të vetëm në këtë zonë, ndërsa në rastin më të mirë përsëri do të fitohen tre deputetë. Realisht duhen pritur dy ose tre.

Për mendimin tim është reale të supozohet që dy deputetët e parë në këtë zonë do t’u takojnë BDI-së dhe Aleancës. Deputeti i tretë shqiptar nga kjo zonë do të jetë Arben Labënishta i Besës ose Adem Karaga i BDI-së.”

Në këtë zonë kam rrezikuar më së tepërmi, pasi sondazhet tregonin se Aleanca këtu do të dështojë. Por në fund prognoza ka qenë e saktë, sepse Aleanca dhe BDI siguruan nga një deputet. Ndërkaq shqiptarët kanë dështuar me deputetin e tretë. BDI-së i kanë munguar rreth 1.000 vota për Adem Karagën, ndërsa Besës rreth 2.000 për Arben Labënishtin. Siç kam pritur PDSH ishte jashtë çdo matematike në këtë zonë.

 

Zona 6. Rezultatet e mundshme. Nëse dalja te shqiptarët është e ulët, ka mundësi që numri i deputetëve shqiptarë të ulet në 14, përndryshe do të mbetet 15. Në të dy rastet numri i madh i deputetëve shqiptarë e bën shumë të vështirë prognozimin e saktë. Këtu më tepër se kudo tjetër do të ngriten apo bien partitë dhe këtu mund të ndodhin befasitë më të mëdha.

Prezenca e Kërçovës në këtë zonë bën që BDI të jetë në përparësi prej 1-2 deputetësh që në fillim. Këtu ajo përherë ka patur tetë ose nëntë deputetë, por kësaj rradhe sigurisht nuk do të ketë shumicën, që do të thotë se shifra prej shtatë deputetësh është një maksimum absolut. Nga ana tjetër mendoj se ajo pa problem do të sigurojë votat për pesë deputetë.

Dilema e vërtetë është si do ndahen 9 deputetët e tjerë shqiptarë të zonës. Si pikë startuese do t’a lëmë proporcionin 3-3-3, me mundësi që secila parti të bjerë në dy apo të ngjitet në katër. Me këtë përmbyllen mundësitë për rezultatin në njësinë gjashtë: pra 5-3-3-3, me opcione “plus minus një” për secilën parti. Çdo gjë më tepër apo më pak se “plus minus një” duhet të merret si befasi.”

Në njëfarë mënyre zona 6 ka qenë më befasuesja, sepse këtu dolën vetëm 13 deputetë shqiptarë. Këtu poashtu kam rrezikuar me prognozat pasi kam shkuar kundër situatës që paraqitnin anketat. Megjithatë mendoj se prognozat kanë dalur  të sakta. Me precizitet të madh kam parashikuar se BDI do të fitojë rreth 40.000 vota (fitoi 40.599) dhe se do të luftojë për të mbrojtur deputetin e gjashtë (që e mbrojti për vetëm 1.400 vota). Partitë tjera lartë-poshtë kanë dalur brenda kornizave të pritura. Nga prognoza 5-3-3-3 me opcion +-1, rezultati ka dalur 6-3-2-2, që besoj është margjinë e pranueshme për çfarëdo prognoze politike në kësi skene politike me shumë të panjohura.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

 

 

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Analiza te denja,gati ne teresi dualen si i parashikoje ne shkrimet e meparshme…tani fillo te shkruah per Zgjedhjet lokale me 2017,nuk do ishte keq te shkruash edhe per Zgjedhjet parlamentare ne Shqiperi 2017…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button