Disa fenomene të ulëta në mjediset tona

Sot në mjediset tona  nuk dihet se kush ha e kush pi! Sot qeni nuk e njeh të zotin e shtëpisë! Sot nuk dihet kush është patriot e kush është tradhtar! Sot nuk dihet kush është intelektual e kush është mediokër! Sot nuk dihet pse të mençurit janë të varfër dhe pse të pasurit janë diletant! Sot nuk dihet pse njerëzit nuk kanë turp dhe pse populli nuk distancohet nga ata! Sot nuk dihet se cilat gazeta dhe mediume janë për vlera reale të shoqërisë shqiptare dhe cilat paguhen nga albanofobët e Ballkanit, që pandërprerë luftojnë kundër vlerave tona! Sot nuk dihet pse të diplomuarit më të mirë rijnë të papunë, kurse të dobëtit sistemohen më shpejt! Sot nuk dihet pse për të njëjtën sëmundje një mjek në Tetovë të zvarrit me javë dhe me muaj, kurse në Shkup të jep barna që reflektojnë më shpejtë dhe më suksesshëm! Sot nuk dihet pse në tiketën e ilaçeve nuk bëhet sqarimi për përdorimin e tyre edhe në gjuhën shqipe, kur dihet mirëfilli se në kohë të socializmit edhe në Maqedoni të gjitha barnat kishin udhëzime edhe në gjuhën shqipe, kurse sot asnjë ilaç nuk sqaron edhe në gjuhën shqipe! Sot nuk dihet pse faturat e rrymës elektrike nuk vijnë të shkruara edhe në gjuhën shqipe që të kuptojmë se si ka mundësi që pagesat të caktohen një muaj para se të harxhohet rrymë elektrike e një familjeje! Sot…sot… sot asgjë nuk kuptohet dhe asgjë nuk dihet, veç atyre që janë në garën e madhe për pushtet!

Sot ballafaqohemi me kalemxhi të ulët, të cilët e ngatërrojnë UÇK-në me diletantët politik, duke dashur që përmes figurave politike ta njollosin edhe  shenjtërinë e UÇK-së; Sot disa intelektual të ulët, që punojnë në ndonjërën nga ministritë tona, shajnë shtetin amë duke thënë se ja “sa punojnë këto maqet ( e ka fjalën për maqedonasit) “, që, apriori, Shqipëria na qenka nën këta të “nënçmuari”t; Sot, të njëjtët kundërshtojnë gjithçka që është shqiptare…bile edhe për kulturën shpirtërore shqiptare, se gjoja të tjerët na dalkan më të kulturuar, që përmes këtij  pisllëku moral të tyre ata e arsyetojnë robërinë e shqiptarëve nga osmanlinjtë, sllavët e Grekët. Përmes këtij pisllëku duan që ta arsyetojnë veten pse kaq në mënyrë besnike u shërbejnë bandave të huaja brenda dhe jashtë vendit. Këta të “mjerë” më tepër i druhen turpit dhe pisllëkut të tyre lakmitar, pasi pasardhësit e tyre një ditë do e kuptojnë langoshllëkun e tyre dhe këta fëmijë, nipa e stërnipa,mbesa e stërmbesa , dashtë e pa dashtë, një ditë do ndjehen keq me këta prindër të korruptuar moralisht e kombëtarisht, të cilët i ndenjën besnik pushtetit shtypës në vazhdimësi, dhe nga kjo frikë, këta albanofob shqiptarë, bëjnë gabimin tjetër më të madh, duke tentuar të krijojnë një shoqëri fetishiste, se gjoja nuk bëhet punë me shqiptarë dhe kësisoj fëmijët e tyre që do lejnë pas, të kenë alibi se prindërit e tyre të “shkretë” e paskan pasur vështirë nëpër kulluqet e pushtetit nga njëra anë dhe nga “idiotësia” e popullit nga ana tjetër. Pra, kësisoj, këta fëlliqësira “intelektuale” në mënyra të veçanta propagandojnë kundër çdo lëvizje qytetare, politike dhe kombëtare në tërësi. Madje shkojnë aq larg saqë ofendojnë dhe injorojnë figurat tona më të shenjta historike – kombëtare, mitet tona, bile edhe himnin dhe simbolet kombëtare… Sa çudi! Askush nuk përgjigjet, askush nuk merr masa  dhe kësisoj, i vjerti dhe i shkepëti- siç thotë populli, kanë depërtuar në oborrin tonë dhe pa lejen e hanxhiut e ngrenë këmbën dhe hedhin vallen ashtu siç duan vetë.

Marrë në tërësi, edhe armiqtë tanë nuk janë të këtij niveli kaq të ulët intelektual, pasi ata nuk janë të ngarkuar me idiotësira të këtilla dhe nuk kanë pse të vuajnë dhe propagandojnë kësisoj. Ata munden të merren me gabime tjera edhe më të mëdha, duke dashur ta sigurojnë shtetin e tyre në dëm të shqiptarëve, por nuk bien në nivele kaq të ulëta etike dhe estetike që të prekin në palcën kombëtare, ashtu siç tenton të preke pisllëku intelektual shqiptarë dhe ai turkoshak që jeton në gjirin e shqiptarëve. Këtë e di çdo shqiptarë se këta pisa intelektual janë tipa renegati, të shitur, por pasojat rëndojnë mbi shenjtërimin e kombit tonë. Prandaj është koha e fundit që të gjithë tradhtarët të marrin dënimin e merituar, pasi, tani më, vetë i kanë nxjerrë këmbët për mejdani dhe njihen me dhëmb e dhëmballë se kush janë, çka veprojnë dhe për kënd veprojnë.

Kjo ka qenë dhe është një luftë me një përpjekje permanente për të fundosur çdo gjë që është shqiptare, duke denigruar çdo lëvizje përparimtare, nga të cilët, shpesh edhe duart i kanë pasur të përlyera me gjakun e pafajshëm kombëtar, të cilët nga mbrapa kanë pasur mbështetje të plotë nga armiqtë tanë, duke shfrytëzuar privilegjet e pushtetit të garantuar nga të njëjtët…Prandaj, për të gjithë ata që brenda këtyre dekadave të demokracisë kanë tentuar të përbaltin vlerat tona kombëtare, historinë tonë të lavdishme, simbolet dhe figurat historike, metë cilat popull ynë jetoi plot krenari ndër shekuj, ka ardhur koha që ata të dalin para drejtësisë edhe të marrin dënimin e merituar, ose duhet të bëjmë përpjekjen e madhe dhe ta ngremë në vlerë të madhe kombëtare  atë që thoshte De Rada: “Edhe sikur të na falni tërë botën, ne nuk u shërbejmë interesave të huaja, në dëm të kombit, bijë të të cilit jemi”.

Atë që duhet patjetër të di opinioni i gjerë është se të gjitha këto idiotësi të pisllëkut intelektual shqiptar, që ngarkohen mbi kurriz të popullit tonë, nuk janë rastësi. Asgjë nuk është e rastësishme! Këto fenomene të pista janë shumë larg rastësisë, përkundrazi, janë të dirigjuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ata, të cilët qëndrojnë nën hijen e çdo krimi dhe shumë politikave të errëta. Këto janë shërbime hierarkike të larta, të cilat bëhen të padukshme duke e shfrytëzuar pisllëkun tonë intelektual dhe kësisoj në pushtet pozicionohen njerëz të papjekur dhe mediokër. Gjatë këtij veprimi, përmes kësaj zhvatje politike, intelektuali pis i rrethanave tona krijon strukturat e hijes së zezë brenda pushtetit, të cilët ia dorëzojnë të gatshme realitetin bruto dhe pastaj fillon përpunimi nga realitetet tjera të padukshme, të cilat, pastaj shndërrohen në lojëra informative për t’i kamufluar pisllëqet tona intelektuale përmes makinerive të shumta të pushtetit dhe  mjegullave imediate.

Pra, edhe në aspektin politik jemi duke u katandisur keq. E kam fjalën për politikën e shqiptarëve në Maqedoni, por, hiç më mirë nuk është edhe në Kosovë e në Luginë të Preshevës. Në Maqedoni të gjitha partitë politike shqiptare erdhën me tone të “ madhërishme” dhe me plot salltanet e dandane – thotë populli. Të tilla ishin: PPD, PDP, PDSH, dhe BDI dhe disa më të vogla,  që u ç’thurën si kulla prej letre. E keqja më e madhe qëndron te partitë politike, gjoja më të fuqishme, të cilat pas një dekadë nisin e rrënohen, pasi te të gjitha hyn krimbi i kuq dhe i han për nga brenda, e që i çon deri në fashitjen e tyre përfundimtare. Neve ende s’kemi arritur  politikisht që të bëjmë dy blloqe politike brenda nesh, siç bëjnë të gjitha popujt e përparuar të botës. Sado që të mundohen partitë tona dhe liderët e tyre, nëse një parti merr teposhtën, ajo parti politike nuk ringjallet. E gjithë kjo përvojë që kemi, flet se ne, shqiptarët në Maqedoni,  nuk kemi kulturë dhe traditë demokratike në politikë. Neve na mundën euforia, veprojmë hëpërhë, nuk mendojmë shumë për të kaluarën dhe as për të ardhmen, por vetëm për të sotmen dhe logjika e jonë vepron verbalist: Nëse unë jam mirë edhe të tjerët janë mirë, pa u ndalur fare të mendojmë për hallet e popullit dhe të shtetit në tërësi.

Vlen të përmendet edhe ajo se as në ruajtjen e traditës kulturore nuk poseduam aftësi dhe kulturë demokratike, pasi me lehtësi e lejuam të zhduket gazetën “Flaka“ me traditë 60 vjeçare, “gëzimi”, “Fatosi”, “Jehona” etj. Pastaj, sa i përket kulturës, nuk u mblodh folklori, doket zakonet, mitet dhe rritet tona, për të cilën gjë edhe u formua “Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore…”, e që ka ngelur margjinave, pa ndonjë funksion të rëndësishëm. Pleqtë vdesin dhe me ta ikën edhe trashëgimia kulturore dhe shpirtërore, pastaj moderniteti i jetës me shpejtësi të madhe e zhdukën trashëgiminë tonë kulturore, gjë që flet për një dhembje të madhe kohe…Dhembje e madhe kohe, pasi ne nuk kemi pasur më herët institucione të specializuara që t’i mbledhë dhe t’i ruaj këto vlera absolute të trashëgimisë sonë kulturore- shpirtërore.

Dhe për në fund desha ta përfundoj me një thënie të Madam De Stal, e cila thotë: Lypset të gjendet një moral, ku të lidheshin në një mënyrë të përsosur gjithë arsyetimet dhe parimet, moral i cili të parashikonte gjithë rrjedhimet, kurse çdo rrjedhim i tij të rishfaqej te parimi, por deri tani, më duket, s’është arritur ky qëllim.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button