Gruevski kërkon votën për të shmangur shantazhet e BDI-së

Kryeministri Nikolla Gruevski mbrëmë në tubimin e mbajtur në Shkup sërish ka kërkuar votën masive të maqedonasve, për të shmangur kërkesat dhe shantazhet e shqiptarëve, me këtë rast duke përmendur partinë BDI.

Ai tha se vota e qytetarëve është e rëndësishme për ta dhe për Maqedoninë. “Vota juaj do të vendos për të vazhduar projektet, veprat, reformat, për të cilat jemi të bindur se do t`i ndihmojnë shumë qytetarëve. Të jeni pas nesh për t`u ballafaquar nga shantazhet e BDI-së, si dhe sfidat e tjera të rëndësishme për shtetin dhe identitetin tonë. Vota juaj është e rëndësishme për ne, e rëndësishme për fitoren tonë bindëse, për pritjet tona prej 62 deputetëve, për të mos lejuar dikush tjetër të na shantazhojë.

Projekti i BDI-së për dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë nuk reflekton me realitetin në Maqedoni, nuk është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, prandaj kërkojmë 62 vende në Parlament. 

Kandidati konsensual dhe ndryshimi i kushtetutës nuk është realitet”, deklaroi Gruevski. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE tha se nuk do të harrohet Kërçova, por edhe Tetova, Gostivari, Struga, Dollneni, Dibra, etj.

Ai premtoi 2046 projekte të ndryshme, 30 fabrika të reja, 64 mijë vende pune, kredi  shumëmilionëshe për bizneset, projekte arsimore, uljen e TVSH-së, shlyerjen e borxheve për kategoritë e rënda sociale, rritjen e rrogave, pensioneve prej 5 për qind për çdo vit, subvencione në fusha të ndryshme, etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button