Hapet Qendra për shërbime sociale në Dibër

Në komunën e Dibrës, hyn në funksion  edhe një institucion i ri përveç Qendrës për punë sociale, bëhet fjalë për Qendrën për shërbime sociale. 

Kjo qendër e cila gjendet pranë pushtetit vendor të Dibrës është realizuar falë pilot projektit nga komuna me përkrahje të shoqatës gjermane-GIZ për bashkëpunim internacional.

Qendra për shërbime sociale ka të bëjë me fushën e mbrojtjes sociale dhe paraqet një urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve në komunitetin lokal sa i takon shërbimeve të ndryshme.

Adelina Ramadani, punëtore sociale  në këtë institucion të ri vlerëson se qëllimi i Qendrës për shërbime sociale ka të bëjë me rritjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtat e tyre në mbrojtjen sociale si dhe të drejtat që kanë të bëjnë me ministri tjera apo dikastere, zhvillimi i njohurive dhe aftësitë të grupeve të caktuara të popullsisë.

Sipas Ramadanit, vetë komuniteti lokal në saj të kësaj qendre mund të tejkalojë rreziqet sociale, forcimin e kompetencave të qytetarëve gjatë procedurave në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. “Kjo qendër do të ndërgjegjësojë edhe pushtetin vendor për shqyrtimin e nevojave të qytetarëve dhe zgjidhjen e problemit të rreziqeve sociale. Pikërisht për këto çështje do të mbahen shumë punëtori dhe debate sa i takon  cenimit të kësaj sfere”, u shpreh Ramadani.

“Qendra për shërbime sociale si pilot projekt është realizuar në katër komuna të Maqedonisë mes tyre edhe Dibra. Aktiviteti i kësaj qendre ka si qëllim edhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikut si dhe ofrimi i shërbimeve informative dhe këshilluese për qytetarët. Qendra në fjalë do të funksionojë si pilot projekt dhe më pas do të jetë nën përkrahje të komunës së Dibrës. Kjo qendër do të jetë çelësi  për tejkalimin e problemeve sociale pasi një e treta e qytetarëve  janë në listat e familjeve me problem sociale , më pas dhuna në familje, pedofilia dhe fenomene tjera negative”, theksoi Ramadani.

Lajme të ngjashme

Back to top button