Befasi të pakta dhe ditë të trishta

Qyteti ynë i periferisë është pa letërnjoftim, pa identitet, pa kryefjalë, me rregulla të serta, me bijë të plakur të shekullit të ri, që nuk arrijnë të dalin përtej kuadrateve të vendosura nga prindërit kokëfortë.

Është vend etërish të azdisur dhe bijsh kokulur, që ngjajnë si marioneta të cilët presin të vijë Godoja. Ai edhe nëse nuk vjen sot “patjetër se do të vijë nesër”. E nesër është sërish nesër, ndërkaq jeta është një ditë që përsëritet prore.

Është vend i pritjes së kotë, ku edhe vonesa vjen me vonesë.

Është vendi i harruar, ku ndodh asgjëja.

Është vend i rutinës, refrenit, trivialitetit, uniformitetit, i kohës së ngrirë.

Është vend ku jeta e vërtetë ndodh në errësirë, larg kornizave të ngushta të një morali të rrejshëm.

Është vend befasish të pakta dhe ditësh të trishta e rutinore, që harrohen si artikuj gazetash të verdha.

Është vend ku privohesh për të qenë vetvetja.

Është vend i trishtë për vetmitarët në turmë, për ujqit e dëbuar nga lukunia.

Është vend heronjsh betejash që nuk i njeh historia.

Është vend ku tradita pranohet pa gjykim kritik.

Është vend boshësie të brendshme dhe të jashtme.

Është vend i gjuhëresë që nuk hap “porta mendimi” (Brodski).

Është vend tensionesh për kauza absurde dhe rikthim në kujtesë i tmerreve të historisë.

Është vend riformulimesh të ideve të së kaluarës, për shkak të mungesës së një vizioni për të ardhmen.

Është vend ku njerëzit ndjehen të papeshë në një hapësirë boshe, tek të cilët ka një dëshirë për ikje, e cila nuk nxitet vetëm nga problemet ekzistenciale, por edhe nga njëtrajtshmëria jetësore, nga boshësia, nga trivialiteti, nga rutina.

Është vend kokash kompetente të marrëzisë, që rendin me flakadanët e heroizmit të pështirë, duke na përsëritur refrenet e neveritshëm për “vlerat kulmore”.

Është vend spektatorësh që nuk duan ta shohin të zinë e zemrës së tyre. U pëlqen maska. Jetojnë në botë hipokrizie të pafundme, ku ka frikë nga dija dhe liria, sepse të dyja kërkojnë mund e djersë.

Është njëfarë bote e gënjeshtërt, ku ndodhin veprime të njohura, ku ka diskurse të mërzitshme, refrene të zakonshme, ku shfaqen mashtrues që flasin për vlera, ku gënjeshtra është mbështjellë me celofanë patriotizmi.

Është vend melankolie të trishtueshme, sikurse thotë Migjeni, dhe ku askush nuk mund të thotë se jeton një popull që ndërton diçka të re. Aty jeton një popull që gëzon liri gaforreje dhe vuan nga liria arbitrare me pamje demoniake.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button