Zvicra vendos pro mekanizmit për viza

Këshilli Federal i Zvicrës ka miratuar klauzolën mbrojtëse për vizat e Shengenit. Kjo ka të bëjë me shtetasit e vendeve të treta, të cilëve mund t`u pezullohet përkohësisht lirimi nga detyrimi për viza, në rastet kur kjo gjendje do të ketë pasoja të rënda për njërin nga shtetet nënshkruese të Shengenit.

Ministrat e brendshëm të vendeve të BE-së, miratuan në dhjetor të vitit të kaluar klauzolën mbrojtëse. Kjo kishte ardhur si reagim ndaj numrit në rritje të kërkesave të azilit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rreth një muaj më parë zëvendësshefi për informim dhe komunikim në Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë, Martin Reichlin konfirmoi se:

“Bëhet fjalë për një rregullore të re që rregullon zhvillimin e mëtejshëm të ligjësisë lidhur me zonën Schengen. Kjo masë e marrë nga BE ende nuk është vënë në zbatim nga Zvicra, por pritet të ndodhë së shpejti”.

Vendimi për futjen e detyrimit për viza do të merret nga Komisioni Evropian, i cili do të propozojë si “masën më të fundit” rivendosjen e regjimit të vizave për një shtet konkret të tretë.

Zvicra e mbështet sistemin e lirimit nga regjimi i vizave, por konsideron si të domosdoshme masat për luftimin e abuzimeve te mundshme, shkruan Zyra Federale për Migracion në një komunikatë për shtyp.

Lajme të ngjashme

Back to top button