LSDM dhe sprova e partive shqiptare në Maqedoni

Ëndrra e kamotshme e shndërruar në ideal për avancimin e shqiptarëve në Maqedoni, për të dalë nga devalvimi dhe degradimi  juridiko – kushtetues që iu bë shqiptarëve me pavarësimin e Maqedonisë, mori fund me konfliktin shqiptaro-maqedonas të vitit 2001. Kështu, pas konfliktit u arrit Marrëveshja e Ohrit si shkas për garantimin e “disa” të drejtave të etniteteve pakicë e që nga shumë shqiptarë nuk u pa si marrëveshje e drejtë, po më shumë shihej si një shkas për ndërprerjen e luftës, gjegjësisht të konfliktit shqiptaro-maqedonas dhe mundësisë politike për zgjidhjen e situatës.

Sidoqoftë, në Marrëveshjen e Ohrit  nuk u parapa një afat konkret për zbatimin e saj, në përjashtim të punësimit të 500 policëve deri në vitin 2004 dhe zbatimi i pjesëve të tjera do  të duhej të bëhej varësisht rrethanave dhe dinamikave në vijim, gjithnjë duke kërkuar ndihmën financiare edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Të pakënaqur nga kjo marrëveshje, që në vetën e saj e kushtëzon përfitimin dhe garantimin e “disa”  të drejtave me 20% të etniteteve pakicë , pas një dekade  lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim kërkon as më pak e as më shumë se barazi të plotë dhe kjo kërkesë, aq më shumë kur vjen nga një lider serioz i partisë më të madhe shqiptare në Maqedonisë, s’ka se si të kuptohet ndryshe pos si një përforcim i pozitës politike shqiptare në Maqedoni.

Në të njëjtën vijë dhe me të njëjtin program, në emër të konceptit të të drejtave qytetare, me program konkret politik, del edhe lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Zoran Zaev, duke u ofruar të gjitha etniteteve jetë dhe qasje të barabartë në shtet e që realisht pa asnjë frikë e ka vënë veten, partinë, elektoratin maqedonas dhe atë shqiptarë si etnitete  më të mëdha në një sprovë jo të vogël. Kështu, një numër i vogël i shqiptarëve, të mahnitur nga kjo ofertë e LSDM-së së Zoran Zaevit, pa hezitim iu bashkangjitën LSDM-së, duke harruar se LSDM-ja me statusin e saj nuk është parti multietnike, por vetëm ofron program multietnik parazgjedhor.

LSDM-ja me programin e saj, nuk do të jetë sprovë vetëm për elektoratin e vet dhe atë shqiptarë, por do të jetë sprovë edhe për partitë shqiptare pas zgjedhjeve!

Mbetet të shohim se partitë shqiptare pas zgjedhjeve, me kë do të krijojnë koalicion qeveritar, me partinë që do t’i fitojë zgjedhjet në taborin maqedonas, apo me partinë e LSDM-së, që garanton të drejta të barabarta qoftë ajo edhe në opozitë?!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button