Diaspora shqiptare në SHBA dhe Trump

Jam i bindur që sikur të kishte fituar Hillary Clinton në zgjedhjet e SHBA-ve, të gjithë shqiptarët do të kishim marrë frymë më lehtë. Lidhja emocionale tona me këtë emër është mëse evident. Kështu, duket sikur të gjithë kemi humbur. Në presidencën e SHBA-ve, aleatit më të madh të shqiptarëve që nga viti 1919 me intervenimin e Ëoodroë Ëilson për të njohur cështjen shqiptare si pjesë integrale e zhvillimeve politike të asaj kohe, ka ardhur një person i cili premton që do të ndryshojë politikën amerikane nga themeli. Fjalimet e tij dhe premtimet që ai i bëri gjatë kampanjës popullit amerikan, tronditën botën anembanë e cila e papërgatitur priti rezultatin e papritur të ditës së sotme. Trump mesa duket do të ndryshojë rolin e SHBA-ve në politikën botërore, duke e larguar atë nga funksioni i vëllaut të madh, asaj fuqie politike që vjen në mbrojtje dhe mbështetje të shteteve aleate të tyre përballë rreziqeve që vijnë nga armiqtë kryesorë të botës së civilizuar perëndimore, Rusisë, Kinës dhe terrorizmit global. Ai premton që do ta shndërrojë Amerikën në një aleat të fuqishëm vetëm për ato shtete të cilat do të paguajnë për mbështetjen e saj.

Ajo që më së shumti më dëshpëroi, më mirë thënë më hidhëroi nga rezultati i sotëm është fakti që për një moment mu duk sikur në mendjen time, Amerika e humbi atë hijeshinë e saj romantike të një demokracie të fuqishme, efikase dhe të një demokracie shembullore për tërë botën. Ajo sot për mua u bë peng e hidhërimit të një populli i cili duke mos ditur të ballafaqohet me krizën e madhe ekonomike që i ka kapluar, zgjodhi të veprojë joracionalisht dhe të zgjedhë një njeri që është e kundërta e asaj mbi të cilën është ndërtuar demokracia amerikane: liria, barazia, respekti për të tjerët dhe dëshira për të qenë forca dominante botërore që do të transmetojë këto vlera të larta mbarë botës. Megjithatë në një shtet me një demokraci aq të zhvilluar duhet të besojmë që kanë bërë zgjedhjen më të mirë për ta. Romantizmin tim dhe të pjesës dërrmuese të shqiptarëve anembanë botës duhet ta lëmë mënjanë.

Ajo që mund të pritet nga administrata Trump përsa i përket cështjes shqiptare mendoj që është një vazhdimësi e prizmës së administratës Obama. Mendoj që kundrejt nesh nuk do të ketë trazime të mëdha. Betejat e ardhshme të Amerikës janë përbrenda vetes, ajo duhet të ridefinohet sipas doktrinës Trump, sepse një rrugë të tillë e vendosën qytetarët e saj dhe sado që neve mund të na duket joracionale, nuk është e rëndësishme sepse ne nuk votojmë në Amerikë. Politika e jashtme do të koncentrohet në Lindje sërish, në Lindjen e largët ku rivaliteti me Kinën do të marrë një dimension të ri dhe në rrypin Iran-Siri në katër vitet e ardhshme ku beteja me Rusinë do të marrë vëmendjen e diplomacisë amerikane.

Me shqiptarët besoj që nuk do të ketë fluktuacione të mëdha. Për neve është e rëndësishme të rikujtojmë amerikanët që ne jemi partnerët dhe aleatët e tyre më të mëdhenj dhe më besnikë në Ballkan dhe që duhet të qëndrojmë pranë njëri tjetrit për t’ju bërë ballë inkurzioneve ruse qoftë nëpërmjet Serbisë ashtu edhe nëpërmjet Turqisë. Mendoj që na pret një 4 vjecar ku marrëdhëniet mes ne dy popujve duhet të përforcohen akoma më shumë. Lobi shqiptar në SHBA tani duhet të luajë lojën akoma më mirë, të afrohet me administratën Trump – gjë që besoj që nuk e kanë anashkaluar asnjëherë megjithëse i dukshëm ishte veprimi pro-Clinton (i pritshëm edhe nga aspekti emocional që na lidh me këtë emër) në mënyrë që të mos ngelemi mbas lobi grupeve të tjera që ishin më të lëkundshëm gjatë kampanjës dyvjecare. Jemi një komunitet i rëndësishëm i cili që në kohën e Nolit ka vepruar kur më shumë e kur më pak në etablimin e lidhjeve politike dhe diplomatike mes dy popujve; një rrugëtim kaq i gjatë gati njëshekullor nuk duhet anashkaluar vetëm e vetëm për arsye emocionale. Diaspora shqiptare në SHBA duhet të tregohet pragmatike dhe e vendosur që të përforcojë akoma më shumë lidhjen mes dy popujve tanë, sepse një gjë e tillë është në interes tonin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button