Francë, shteti mbyll mbi 20 xhami

Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Bernard Cazeneuve, ka thënë se në kuadër të hetimeve për luftën kundër terrorizmit, mund të mbyllen më shumë xhami në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Cazeneuve ka dhënë detaje mbi luftën kundër terrorizmit gjatë vitit 2015 në Francë, në fjalimin e mbajtur gjatë mbledhjes së prefektëve dhe prokurorëve në Paris.

Duke theksuar se në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme në Francë janë mbyllur mbi 20 xhami, Cazeneuve, tha se hetimet në lidhje me të tjera faltore janë duke vazhduar.

”Nga fillimi i vitit 2015 e deri më tani është dhënë vendim për largimin e mbi 80 personave me origjinë të huaj nga Franca. Shumica e tyre janë klerikë të cilët kanë përdorur gjuhën e urrejtjes”, ka thënë Cazeneuve. Ai më pas ka shtuar se për 201 persona është vendosur ndalimi i hyrjes në Francë për shkak të prirjes së tyre radikale. Ministri ka theksuar se krahas këtyre masave është vendosur ndalim daljeje nga Franca për 430 persona të cilët dyshohet se mund ti bashkohen organizatës terroriste DEASH.

Ministri francez i Punëve të Brendshëm në fjalën e tij ka nënvizuar edhe masat e marra në fushën e medias së shkruar. Ai ka thënë se 54 ueb-faqe dhe 319 posta elektronike janë mbyllur në këtë kuadër.

Duke dhënë informacione për luftën e deritanishme kundër terrorit, ministri Cazeneuve, ka thënë se pas sulmeve terroriste vitin e kaluar në Paris, 426 persona janë arrestuar, 95 ndodhen në arrest shtëpiak dhe në 4 mijë adresa është bërë kontroll. Ministri ka shtuar se gjatë kontrolleve janë sekuestruar 600 armë nga të cilat 77 të rënda.

Ligji i gjendjes së jashtëzakonshme në Francë i jep të drejtë Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi të mbyllë faltore në të cilat autoritetet pretendojnë se predikohet urrejtja ose nxitja e terrorit, si dhe të mbyllë gjithashtu ueb-faqet në të cilat bëhet propagandë e ngjashme.

Rreth 130 persona humbën jetën në sulmet terroriste të ndërmarra në disa pika të ndryshme në Paris më 13 nëntor 2015. Pas sulmeve në vend, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme vetëm javën e kaluar janë mbyllur 4 xhami.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button