Triptik për gënjeshtrën, politikanët dhe popullin

1.
Skena politike në Maqedoni po përjeton dridhje dhe çarje të rënda tektonike. Po ndodhin veprime absurde politike. Nga një rrugëtim gjysmak drejt shtigjeve të Brukselit, ky vend problematik po pllakoset në baltën e vet ballkanike. Një mallkim po e largon vendin nga prosperiteti, demokracia, perspektiva më e ndritur. Diplomatët e kancelarive në Bruksel janë në shok të vërtetë nga ajo çka po ndodh në këtë vend, aspirant për BE dhe NATO. Ata e kanë mjaft vështirë të gjejnë një zgjidhje diplomatike për shfrenimet politike të liderëve të krekosur. Ndaj nuk habit fakti që euro-diplomatët kanë vërë alarmin për situatën e krijuar, po çirren me zë të fortë, por zëri i tyre nuk është aq i fuqishëm, sa është i thellë gjumi i popullit, që të mund ta zgjojë, përfundimisht, nga kjo kllapi.

Kjo krizë politike që ka mbërthyer këtë vend, nuk është e djeshme, por është e kamotshme, shumë më e thellë sesa që kujtojmë. Ta lëmë anësh, komunizmin. Që nga pavarësia e këtij vendi më 1991, problemet janë shtuar e nuk janë pakësuar. Ato kulmuan me konfliktin e 2001-shit, kur kriza politike nuk u zgjidh, porse u hodh nga një binar në tjetrin. Vazhdoi amullia politike. Probleme shumë, zgjidhje pak. Ato barteshin nga njëra nomenklaturë politike në tjetrën, varësisht nga disponimi elektoral në votime. Në gjithë këtë katrahurë politike, askush, asnjë subjekt politik, asnjë lider politik, asnjë institucion shtetëror, nuk e merr fajin mbi vete, dhe kështu faji, si përherë, mbetet jetim. Sipas pushtetit, të gjitha të këqijat që e kanë katandisur vendin – në qafë të opozitës, ndërsa opozita, me petkun e salloneve, ka anatemuar pushtetin. Në këtë baltosje mbi njëri-tjetrin, populli është spektator, ndërsa problemet po shtohen dita më ditë. Kancelaritë e huaja, në refren: “Qeveria nuk është faktor i zgjidhjes së problemit, por ajo është vetë problemi!” Qeveria u duk në vepër, tash është radha të shihet populli.

Populli ka “vajtuar” bukur shumë. Ndërkohë po avitet 11 dhjetori (zgjedhjet). Shpresat, në rritje. Partitë po e dorëzojnë legjitimitetin (forcën politike) në duart e popullit. Ato shumë shpejt do të mbeten me zero (0) forcë dhe do të jenë në rolin e “lypësit” të votave – deri në ditën e votimeve. Do të “mendojnë e flasin” në fushatë, njësoj si populli…!? Kështu do ta kthejnë (fitojnë) legjitimitetin që tash po e dorëzojnë. Aktualisht: ata në kolltuk, “tashmë janë të zhveshur”. Këta të tjerët, ende me “kokën në thes!” Ky popull ka pasur mjaft kohë për një rradake të shëndoshë, ndaj dhe s’duhet hequr lehtazi gishtin nga tëmthi. Një “rrethim” i gabuar në listën e votës, në një atmosferë “relaksuese”, mund t’i kushtojë edhe katër vjet vajtim.

2.
Në vendet me sistem të zhvilluar të demokracisë, gjithnjë synohet nxjerrja në shesh e së vërtetës. E vërteta u takon njerëzve të lirë, ata që gënjejnë janë peng të mashtrimeve të veta, janë robër. Në politikë shpesh po instrumentalizohet e vërteta, ajo ruhet në “sirtarë” dhe nxirret sipas nevojës për dedikime të posaçme. Të jesh i mençur në politikë dhe në jetë, do të thotë të dallosh të vërtetën, atë të cilën duhet thënë dhe atë të cilën duhet heshtur. Pushteti mbetet në fuqi me mashtrime, ushtrim të frikës dhe para të pista. Politikanët kanë mbërthyer tërë shoqërinë në lojën e tyre. Vetëm kur të treten instrumentet e dhunës psikofizike dhe lojërat me kundërmim të fëlliqur, “shtresat e ulëta” do t’i hedhin prangat. Ngufatja do të merr frymë lirshëm. Demokracia, e cila, në fillimet e saj, mes nesh shkaktonte entuziazëm ekzaltues, është transformuar në një kurth të lirisë. Liria, dihet botërisht, tretet me humbjen e demokracisë. Vetëm demokracia i jep shpirt asaj. Cila do prej këtyre të humbet, janë humbur që të dyja, edhe liria edhe demokracia.

Pushteti, nëpërmjet instrumenteve të politikës, tash një kohë të gjatë po ushtron mbi popullin veprime “mazohiste”, me premisa politike psiko-dramatike. Diplomatë të kancelarive evropiane po ngulin këmbë që të na ndërgjegjësojnë, politikanë e popull, por lajthiten lehtë nga “mjeshtrit” e politikës ballkanike. Ende jemi larg realitetit qytetërues. Psikologët do të na kategorizonin në subjekte “devijuese”, shkaku i megalomanisë së rreme, në njërën anë, dhe nënshtrimit patologjik, në anën tjetër. Në të vërtetë, po thellohet provincializmi dhe primitivizmi, hapet shteg për njëmendësinë. Për këtë, ndërkombëtarët janë dëshpëruar tej mase. S’bëjnë para as faturat që u adresohen liderëve politikë e pushtetmbajtës. Ndryshe, pasojat do t’i mbartë populli, i cili është në një përgjumje të thellë. Mbase do të kthjellohet kur do të arrijnë detyrimet e pagesës së faturave të ndërgjegjes së ulët. Populli s’është i vetëdijshëm se ka armën e votës dhe forcën e madhe, për të bërë ndryshimin e proceseve dhe arritjen e kthesave pozitive!

Në këtë kohë të përmbysjes së vlerave, të inflacionit dhe hiper-devalvimit të informacionit, shtrirjes së informatave pa asnjë kriter në paletën e gjerë të medieve, pluralizmit jokonstruktiv të mendimeve, mungesës së kontrollit profesional, “miksimit” të vlerës me antivlerë, që bëjnë të gjitha këto një “mish-mash” në strukturën mentale të njerëzve, sidomos të atyre që apriori absorbojnë si të vërtetë çdo gjë që del në sheshin informativ. Në politikë, për çështje të ndryshme, arrihen marrëveshje mes palëve. Në të gjitha marrëveshjet, kontratat, kompromiset, konsensuset e koncesionet, “miksohen” në doza të ndryshme, e vërteta dhe gënjeshtra. Në këtë komplement, si me rregull, gjithherë ato marrëveshje përfundojnë në dëm të së vërtetës.

3.
 “Gjuha politike është shpikur për të bërë që gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta”, ka thënë novelisti i njohur i kronikave angleze, George Orwell. Një gënjeshtër e përsëritur 100 herë, do të dalë si e vërtetë, fenomen ky që mund të haset në mentalitetin e politikanëve ballkanas. Politika është art i të mundshmes, ajo nuk është statike, është fleksibile, deri në përmasa të pabesueshme. Për atë shkak, del që populli nuk i “kupton” politikanët. Ata sjellin në veprimet e tyre befasi të vazhdueshme. Sepse, të jesh i sinqertë në politikë është hiç më pak se një naivitet, ndërsa kufiri mes politikës dhe sinqeritetit ka barriera të pakalueshme.

Populli thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra!” Jo, qe besa, gënjeshtra i ka zgjatur këmbët tej më tej. Gënjeshtra, për nga natyra e psikikës njerëzore, ka një trase të hapur të depërtimit marramendës. Ajo kapërdihet shumë më lehtë nga masat diletante, të cilat janë pre e ndikimeve të jashtme. E vërteta shpesh di të jetë e hidhur, sado që të gjithë e gjakojmë atë. Ajo (e vërteta) mund të shkaktojë edhe urrejtje, frikë, shqetësim, hidhërim tek ai, të cilit i adresohet. Sado që të fshihet e vërteta, një ditë atë do ta zbulojë koha. Koha është armiku më i madh i gënjeshtrës. “Më shumë duhet armiku që e thotë të vërtetën në sy, sesa miku që  gënjen“, thotë një urti. Politikanët gënjejnë në gjithë botën, por vetëm te ne u besojnë  gënjeshtrave të tyre. Kjo vetvetiu flet për strukturën mentale të njerëzve, të cilët të pavërtetën e “konsumojnë” si të vërtetë, dhe kështu i japin jetë strukturave politike, që me mekanizma politikë t’i shtypin të drejtat universale dhe ligjore të atyre që besuan në të pavërteta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button