Kur materia t’a eklipson shpirtin

Zemrën e kishte më të ftohtë se akulli i trashë i Antarktidës. Nuk i ndjente më kënaqësitë e mëdha që sjellin gjërat e zakonshme të jetës. Të bukurën nuk e dallonte dot me sy të lirë, pasi çdo gjë i dukej bardh e zi. Nuk ndjente më asgjë. As magjinë e ngjyrave të vjeshtës, as zhurmën e gjetheve që lehtë bien dhe bëhen përjetë një me tokën, as cicërimat e zogjve të paktë që kishin mbetur në qytet at prag dimri. Madje as ajrin që i pastronte mushkëritë e mykura nga bloza e cigares nuk e ndjente më.

Etja për t’u dukur e kishte zhbërë dhe ja kishte mbytur shpirtin. Zbukurohej, kollarisej dhe vishej bukur, por shpirti i shëmtohej çdo ditë. Parfumi i shtrenjtë nuk e sfumonte dot ligësinë dhe erën e rëndë që përçonte çdo fjalë e tij. Errësira kishte fituar mbi dritën. Shpirti i tij ishte në grahmat e fundit. Përpëlitej vazhdimisht për të fituar mbi trupin, por gjithçka dukej e pamundur. Në një kohë të shkurtër ishte përmbysur gjithçka. Mishi kishte fituar mbi spiritualitetin. Kënaqësia momentale trupore kishte fituar mbi kënaqësinë e përjetshme shpirtërore.

Në mënyrë të sforcuar mundohej të transmetonte karakter të fortë. Ishte kthyer qesharak deri në dhimbje. Miqtë dhe shokët e vërtetë i kishte braktisur, edhe pse ata nuk ja kthyen shpinën për asnjë moment. Tek e fundit çfarë i duheshin. I kishte të gjitha; para, pushtet, njerëz të fuqishëm. Dhe për diçka duhej vlerësuar. I fitoi shumë shpejt edhe pse nuk kishte bërë asgjë. As nuk kishte punuar, as studiuar, as…

Por papritmas, ditët e bukura mbaruan. Nuk i kishte mbetur asgjë. Jetonte i vetëm në një hapësirë të pafund dhomash e katesh. Ndjente dhimbje. Vetëm atëherë e kuptoi që jeta prej mishi është një film me metrazh të shkurtër, që nis me dhimbje dhe përfundon me vdekje. Vetëm atëherë e kuptoi që kënaqësitë trupore janë sekuenca të shkurtra dhe përfundojnë në mënyrë fatale. E kuptoi që është mirë që të vdesësh për të kuptuar sa e bukur është jeta. Kuptoi se vetëm pasi të vdesësh kupton sesi duhet të jetosh. U tmerrua kur kujtoi sesi materia ja kishte eklipsuar shpirtin gjithë jetën. Kishte jetuar diçka që nuk ishte e tij. Por, tashmë ishte vonë. Kishte vdek bashkë me shpirtin. Ja kishte futur thonjtë në fyt gjithë kohës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button