Gazetari e cila personalisht rrëzon etikën gazetareske!

[Recension: “Zhurnal mëson: Ali Ahmeti personalisht rrëzon tabelën njëgjuhëshe në Strazhë”]

Për disa punonjës të mediave si duket është vështirë që të respektohet Kodi etik i gazetarëve. Shpeshherë ndodh që shkelja e tij të bëhet aq lehtë, sa që shihet e shpjegohet qartë, sikur në artikullin që po recensojmë. Kur jemi te njëri prej parimeve bazë, saktësia e informacionit, kryesorja që duhet mbajtur mend është: shkruaj çfarë mund të dëshmosh, e jo çfarë di dhe, mbi gjitha, cito burimet. Asnjëri nga këto elemente nuk është respektuar. Lajmi është hipotetik, propagandues dhe jo aktual.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka rrëzuar personalisht tabelën njëgjuhëshe të vendosur në Strazhë, mëson ekzkluzivisht Agjencia e lajmeve Zhurnal. Marrëveshja mes dy partnerëve të koalicionit që tabelat e reja nëpër autostrada të jenë në dy gjuhë duket se nuk ishte respektuar në Strazhë. Në një nga ditët e lëvizjes së Ahmetit në atë drejtim me të vënë re se tabela e vendosur është vetëm në një gjuhë e jo në atë shqipe ka zbritur nga makina dhe personalisht ka ndaluar punimet.

Në tekst autori flet sikur ka qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa kjo askund nuk dëshmohet në lajm. Për më tepër, teksti ka manipuluar me publikun përmes fotografisë së bashkëngjitur, duke e montuar atë. Manipulimi me elementet multimediale përbën shkelje të Kodit etik dhe mund të merret edhe si bazë për shpifje dhe ballafaqim me ligjin.

ali-ahmeti-personalisht-rrezon-tabelen-screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Zhurnal mëson: Ali Ahmeti personalisht rrëzon tabelën njëgjuhëshe në Strazhë
Data dhe koha e publikimit: 02.11.2016
Data e recensionit: 02.11.2016
Recensues: Adrian Kerimi

“Duhet pasur dallim mes reklamimit dhe tekstit gazetaresk me ilustrim”, Kodi etik i gazetarëve.

Në rreshta kuptohet se vetë Ahmeti e ka rrëzuar tabelën. Së paku, kështu thuhet në paragrafin e tretë. Mirëpo, teksti bie në kundërshtim me vetveten që në fillim të paragrafit tjetër, ku thuhet se Ahmeti ka kërkuar ndihmë nga ministrat.

Zhurnal mëson se urgjentisht për këtë problematikë ai thëret ministrat e kabinetit qeveritarë të cilët ndërpresin mbledhjen dhe udhëtojnë në vendin e ngjarjes që menjëherë të largohet tabela një gjuhëshe dhe të vendoset edhe ajo në gjuhën shqipe derisa tash në Strazhë figuron tabela në dy gjuhë, trëansmeton Zhurnal. Ndryshe nga ai “incident” e këndej të gjitha tabletat e vendosura në autostrada janë të dy gjuhë duke respektuar kështu marrëveshjen.

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve”, Kodi etik i gazetarëve.

Përderisa disa palë janë përmendur në tekst, lajmi fillon dhe mbaron me admirim ndaj liderit të BDI-së. Nuk është kërkuar qëndrim nga ndërmarrja publike kompetente për bërjen dhe vendosjen e sinjaleve rrugore, nuk është kontaktuar as ministria përkatëse dhe, për më tepër, as nuk është bërë krahasimi me anë të fotografisë se si ka qenë dhe si është tabela tani.

“Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike”, Kodi etik i gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button