Presidenti Obama komenton për vendimin e FBI-së
Presidenti Barack Obama komentoi për here të parë publikisht për vendimin e FBI-së për të vazhduar hetimin e emaileve që mund të kenë lidhje me përdorimin e serverit privat nga ana e Hillary Clintonit, kur ishte Sekretare e Shtetit.
Në një intervistë, Presidenti Obama tha se nuk donte të ndërhynte në proces, por shtoi se ishte e rëndësishme që të ndiqej një praktikë që mos u hapte rrugën aludimeve që të ndikojnë tek mendimet e publikut për rastin, njofton Zëri i Amerikës.
“Ne nuk funksionojmë me informacion të paplotë, tha zoti Obama në një intervistë me NowThis News. Ne veprojmë në bazë të vendimeve konkrete që merren”.
Ai shtoi se kur çështja u hetua në detaje herën e fundit, përfundimi ishte se ajo (zonja Clinton) kishte bërë ca gabime por se nuk kishte bërë diçka që kërkonte procedim penal.
Presidenti nuk e përmendi drejtorin e FBI-së, James Comey me emër, por ishte e qartë që po i referohej atij.
Demokratët e kanë kritikuar FBI-në për nxjerrjen e njoftimit, duke thënë se kaq pranë zgjedhjeve, ky veprim ndërhynte në procesin politik, ndërsa Donald Trump e ka vlerësuar vendimin e zotit Comey.