Rusia e refuzoi vëzhgimin e zgjedhjeve në SHBA në kuadër të OSBE-së

Rusia ka kërkuar leje nga disa shtete amerikane për dërgim të vëzhguesve në zgjedhjet presidenciale dhe legjislative më 8 nëntor, por së paku tri shtete e kanë refuzuar këtë.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar mbrëmë vonë se Rusia është e mirëseardhur për observim të zgjedhjeve, por Moska e ka hedhur poshtë ftesën e Shteteve të Bashkuara, që Rusia të përfshihet në ekipin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që i monitoron zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

“Ne i thamë qeverisë së Rusisë se ata janë të mirëseardhur për t’i observuar zgjedhjet tona”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, dhe ka shtuar se“ne jemi shumë të sigurt në stabilitetin, sigurinë dhe forcën e procesit tonë zgjedhor dhe nuk ka nevojë për fshehje nga kjo”.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë asgjë për tu frikësuar nga prania e observatorëve rusë në zgjedhjet” amerikane, por theksoi se “fakti se ata kanë zgjedhur që të mos i bashkohen misionit observues të OSBE-së e bënë të qartë se kjo çështje nuk është asgjë më tepër se një paraqitje” për reklamim publik.

Njëherësh, Ambasada e Rusisë ka kërkuar leje së paku në tri shtete amerikane për dërgimin e monitoruesve në vendvotime, por këto shtete e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë.

Autoritetet në shtetet Okllahoma, Teksas dhe Luiziana, kanë njoftuar se ato e kanë refuzuar kërkesën nga Rusia për pranimin e vëzhguesve.

Zyra e sekretarit shtetëror në Okllahoma ka njoftuar se e kishte marrë një letër në muajin gusht nga Konsullata e përgjithshme e Rusisë në Hjuston, duke kërkuar që njëri prej përfaqësuesve të saj të jetë i pranishëm në një vendvotim për ta studiuar “përvojën e Shteteve të Bashkara në organizimin e procesit votues”.

Por, shteti Okllahoma e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, duke shpjeguar se legjislacioni në fuqi nuk e lejon pjesëmarrjen e askujt, me përjashtim të zyrtarëve zgjedhorë dhe votuesve, që të jenë të pranishëm derisa mbahen votimet.

Teksasi dhe Luiziana, po ashtu, kishin arsye të ngjashme për ta refuzuar praninë e përfaqësuesve rusë në vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe legjislative në Shtetet e Bashkuara më 8 nëntor.

E përditshmja ruse, Izvestia, e ka cituar jë zyrtar rus që ka thënë se kërkesat ishin refuzuar për shkak të “tendencave rusofobe”.

Interesimi i befasishëm i Rusisë për procesin e votimit në Shtetet e Bashkuara po bëhet në periudhën kur hakerët e mbështetur nga Rusia, kanë depërtuar në sistemet në Internet të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkara dhe kanë publikuar emaila dhe dokumente, në përpjekje për të ndikuar në favor të kandidatit republikan në zgjedhjet presidenciale amerikane, Donald Trump, për të cilin thuhet se është rusofil. /REL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button