AI: Qasja zyrtare e Australisë ndaj azilkërkuesve është “regjim i egër”

Grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI) ka kritikuar qeverinë e Australisë për trajtimin ndaj emigrantëve, e cila në raportin e publikuar të hënën është cilësuar si “qeveria e egër”, raporton Anadolu Agency (AA).

Amnesty International (AI) thotë se Australia ka shndërruar ishullin e vogël Nauru në Oqeanin Paqësor në “burg në qiell të hapur”, nga shkaku i mënyrës se si trajton 410 refugjatët të cilët gjenden atje.

Raporti thotë se qeveria i nënshtron refugjatët “në një sistem mizor të abuzimit me një politikë që është projektuar me qëllim të dëmtojë njerëzit”.

Në kohën kur po publikohej raporti, drejtorja për Kërkime në AI, Anna Neistat deklaroi për AA se qeveria as që mundohet të fsheh politikat e saj të cilat dëmtojnë njerëzit. “Qeveria ka thënë hapur se ka krijuar një sistem të frikësimit. Bëhet fjalë për një sistem i cili mbështetet në vuajtjet e njerëzve”, tha ajo.

Neistat, e cila është nga personat shumë të paktë që kanë hyrë në ishull për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut, tha se kishte arritur të hyjë në ishull në muajin korrik, pas gjashtë refuzimeve që i janë bërë AI-së. “Nuk kam parë atë nivel të traumave mendore as në ndonjë zonë lufte ku kam punuar”, deklaroi ajo për të shtuar se 60 zonat ku ka punuar përfshijnë Sirinë, Afganistanin, Kinën, Jemenin dhe Sri Lankën.

“Arsyeja qëndron në faktin se në zonat e luftës ka një shkak për vuajtjet, ndërsa në Nauru nuk ka absolutisht asnjë arsye për vuajtjet e njerëzve”, tha Neistat.

Sipas saj AI ka konstatuar se kushtet të cilave u janë nënshtruar refugjatët dhe azilkërkuesit në Nauru janë të barabarta me torturën. “Një gjë të tillë nuk e kemi thënë më parë mirëpo pas analizave ligjore nuk mund të gjejmë një tjetër konkluzion”, tha ajo.

“Politika e qeverisë australiane është e kundërta e asaj që vendet duhet të ndjekin. Është një model që minimizon mbrojtjen dhe maksimizon dëmin”, tha ajo.

Një anketë e zbatuar në nëntor të vitit të kaluar zbuloi se 54 përqind e popullatës pajtohej me politikat qeveritare për të dërguar azilkërkuesit në qendrat për paraburgim në ishujt Nauru dhe Manus në Papua Guinenë e Re.

Të hënën Anadolu Agency kërkoi sqarim nga ministri australian për Emigracion dhe Mbrojtje të Kufijve lidhur me akuzat, por nuk mori përgjigje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button