Gjykimi i tretë  i Adem Demaçit më 1975

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Heroit të Kosovës dhe Nderit të Kombit, Adem Demaçit, autori Selatin Novosella ka botuar Trilogjinë: 1. “Adem Demaçi në gjykimin e parë-1958”, 2. “Adem Demaçi në Gjykimin e dytë-1964” dhe 3. “Adem Demaçi në gjykimin e tretë-1975”. Kjo Trilogji është botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës me mbështetjen financiare nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sa i përket veprimtarit më të ndritur të Çështjes Kombëtare Shqiptare, Adem Demaçit, në 80-vjetorin e lindjes së tij, gjithandej është promovuar Trilogjia: “Adem Demaçi në gjykimin e parë-1958, “Adem Demaçi në gjykimin e dytë-1964” dhe “Adem Demaçi në gjykimin e tretë-1975”, të autorit Selatin Novosella, i cili iu përkushtua denjësisht këtyre veprave, pasi që ishte njohës i mirë i rrethanave politike e historike kur veproi Demaçi, sepse edhe vet i takonte ushtrisë së të burgosurve politikë të Kosovës.

Demaçi, për rreth gjysmë shekulli, mbajti gjallë kauzën e Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve gjithandej në ish-republikat jugosllave për liri e pavarësi, duke u bërë shembulli më i mirë se si nuk duhet të gjunjëzohet intelektuali para asnjë force barbare, kur është në pyetje Liria dhe Atdheu, ashtu siç u tregua edhe Adem Jashari, botërisht, se si duhet flijuar për Komb e Atdhe.

Figura historike e Demaçit, këtij simboli të rezistencës, apo, siç thotë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, zotëri Qemail Minxhozi “Demaçi përfaqëson mençurinë mbarë shqiptare!”, është unikate dhe e papërsëritshme, jo vetëm në përmasa kombëtare shqiptare. Duke folur për burgosjen e tretë të Demaçit, temë e të cilit është libri për të cilin po flasim “Adem Demaçi në gjykimin e tretë-1975”, dhe për pushtetarët e kohës, vet Demaçi thotë: “Ata, me këtë burgosjen time të tretë, mua më kishin bërë shërbim… Ata, nga unë, kështu, po krijonin heroin! Isha i sigurt që dënimi im do të ishte nxitje që të tjerët të rebeloheshin dhe të vazhdonin edhe me më intensitet punën tonë… Me burgosjen time më shumë kishin humbur se që kishin fituar!”

Për të kuptuar metaforën e madhe të lirisë, simbolin e fuqishëm të rezistencës dhe përkushtimin e tij shpirtërore për komb e atdhedashuri, mjafton ta përkujtojmë vetëm një fjali të Demaçit të thënë në fjalën e fundit para Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, në gjykimin e parë, në vitin e largët 1958, i cili duket edhe më madhështor, veçmas kur kemi parasysh moshën e tij të re, vetëm 22 –vjeçare, ku, ndër të tjera, thotë: “Prej këtu ku jam deklaroj se, nëse Serbia dhe Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës dhe nëse nuk lejojnë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipninë, atëherë nuk do të ketë paqe as në Ballkan e as në Jugosllavi. Nëse Serbia do të vazhdojë me këtë politikë ndaj shqiptarëve, do të vije koha kur ajo do të bëhet shkaktare për zhbërjen e krejt Jugosllavisë. Dhe, në fund, Serbia do të mbetet edhe pa Kosovën!” Kohërat dëshmuan për vizionaritetin e fjalëve të Demaçit. Dmth., tashmë, nuk kemi Jugosllavinë dhe e kemi Serbinë pa Kosovën.

Sipas autorit Novosella, Demaçi, fatmirësisht, arriti t’i mposhtë fizikisht, ideologjikisht dhe politikisht tri personalitete më të urryera të kombit shqiptarë, të shekullit XX: Rankoviçin, Titon dhe Millosheviqin. Andaj, rinia shqiptare, pse jo edhe mbarë kombi shqiptar, duhet të mësojnë nga shembulli jetësor i Nderit të Kombit dhe Heroit të Kosovës, Adem Demaçi.

Për Demaçin është shkruar me të madhe, por, historiografia shqiptare, gjithmonë, do të ketë vend që edhe në të ardhmen, të studioj dhe shkruaj për të, pasi që rruga jetësore që ka shkelur Ai ka qenë shumë e gjatë dhe me barriera të panumërta. Kjo, aq më tepër mund të thuhet, sepse Demaçi nuk ka vepruar me një rreth të ngushtë, por me një armatë të tërë të atdhetarëve dhe intelektualëve. Pastaj, ai është ballafaquar me një sistem të egër jugosllav prej 22 milionë banorësh, me një numër të madh spiunësh e tradhtarësh. Prandaj, kjo histori nuk mbaron këtu, pasi në vet librin e Selatin Novosellës “Adem Demaçi në gjykimin e tretë 1975”, përmenden dhe analizohet veprimtaria e një armate të tërë veprimtarësh të tjerë të çështjes kombëtare, që, po ashtu, kanë nga një histori më vete.

Pas hetimeve të tmerrshme në UDB-në e Prishtinës, të cilat zgjatin deri në nëntë muaj për disa të burgosur, Adem Demaç dhe tetëmbëdhjetë veprimtarë të tjerë qiten para Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, në muajin shkurt 1976, dhe dënohen prej 5 deri në 15 vite burg të rëndë, aq sa dënohet Adem Demaçi. Me këtë rast dënohen: Adem Demaçi, Skënder Kastrati, Rexhep Mala, Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Hetem Bajrami, Ilmi Ramadani, Ilaz Pireva, Irfan Shaqiri, Isa Kastrati, Hasan Dërmaku, Sami Dërmaku, Xhavit Dërmaku, Nijazi Korça, Sherif Masurica, Ahmet Hoti, Fatmit Salihu, Nazim Shurdhani dhe Zijadin Spahiu.

Libri i tretë i Trilogjisë së Selatin Novosellës, “Adem Demaçi në gjykimin e tretë-1975”, në ndërtimin strukturor të tij ka 400 faqe dhe pajiset me afër 70 faksimile dhe fotografi nga më të ndryshmet, gjë që, veprën në fjalë e bën më bindëse dhe me bazë më të fortë shkencore. Pas lirimit të Demaçit nga burgu i dytë, pas 10 viteve, (prej 8 qershorit 1964 deri më 8 qershor 1974), gjendja politike në Kosovë, pak a shumë, kishte ndryshuar në të mirë të Kosovës. Ky ndryshim ishte vërejtur pas rënies nga pushteti të zëvendësit të Titos, Aleksandër Rankoviqi, më 1 korrik 1966. Ndryshimet pozitive që vlejnë të theksohen janë: themelimi i Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970, i cili arriti që në gjirin e vet të ketë rreth 40 mijë studentë nga të gjitha viset shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë. Pastaj, në vitin 1974, ishte aprovuar Kushtetuta e Kosovës, me ç’rast Krahina Autonome e Kosovës ishte avancuar në element konstituiv të Federatës Jugosllave.

Edhe pse ndodhën këto ndryshime, veprimtaria atdhetare për liri dhe pavarësi nuk kishte të ndalur, pasi besimi nuk kthehej ndaj atij shteti i cili, me dekada, kishte bërë gjenocid ndaj shqiptarëve nën pushtimin e egër jugosllav. Këtë Lëvizje atdhetare ilegale shqiptare të kohës e kishte intensifikuar edhe inkuadrimi i gjeneratës së re, të veprimtarëve të shquara të kohës, si: Rexhap Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Ilmi Ramadani, Mehmet Hajrizi e shumë të tjerë, që vazhdimisht shpërndanin afishe në të cilat, përveç tjerash, apelohej që të vazhdohej veprimtaria nacionalçlirimtare, e cila synim të fundit kishte bashkimin kombëtar.

Kjo Lëvizje atdhetare, gjatë viteve 1974 dhe 1975, Demaçin e gjeti duke e vizituar me qindra e mijëra qytetarë nga mbar Kosova, por edhe më gjerë. Në mesin e kësaj armate vizitorësh kishte edhe shumë veprimtarë, që vepronin në ilegalitet të thellë. Këto kontakte të Adem Demaçit me veprimtarët e brezave të mëparshëm, e sidomos të brezit më të ri që po vinte, i pengonte së tepërmi sistemit politik jugosllav të kohës. Koha e shkurtër pas lirimit të Demaçit nga burgu, mosrivënja e lidhjeve të moçme dhe mosvënia e lidhjeve të reja, nuk ia kishte mundësuar atij të formonte ndonjë organizatë politike atdhetare. Megjithatë, vetëm lëvizja e lirë e Demaçit në qytetet e ndryshme të Kosovës, dhe kontaktet e shumta me qytetarë dhe admiruesit e tij, ishte e mjaftueshme që të përgatitej arrestimi i tij i tretë. Ndonëse në këtë kohë, vërtetë, vepronte organizata “Grupi Revolucionar i Kosovës”, ndonëse kjo organizatë kishte shkruar parulla dhe kishte shpërndarë afishe gjithandej qyteteve të Kosovës, ndonëse kjo organizatë kishte filluar të botonte organin e vet të shtypit, “Zëri e Kosovës”, megjithatë, Adem Demaçi nuk ishte në këtë organizim. Në njërën prej afisheve të kësaj organizate ishte shkruar “Rroftë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës!”, për të dëshmuar, kështu, se kjo organizatë i ngjante lumit të fuqishëm. D. m. th., ndonëse nuk ekzistonte ndonjë organizatë me këtë emërtim, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, këtë e dinin fare mirë UDB-ja dhe Komiteti i Partisë Komuniste, prapëseprapë, Ai do të akuzohet si ideator i kësaj organizate?! Pra, ky gjykim i tretë i Adem Demaçit ishte, kryekreje, i konstruktuar dhe e i montuar. Domethënë, kjo ishte hakmarrja e radhës e përgatitur në kuzhinat e pushtetarëve të Kosovës, të Serbisë dhe Jugosllavisë.

Përderisa Adem Demaçi herën e parë, në vitin 1958, ishte dënuar me 5 vite burg të rëndë, për “propagandë kundër popullit dhe shtetit”; për deri sa herën e dytë, në vitin 1964, ishte dënuar me 15 vite burg të rëndë për “veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit”; ndërkaq, herën e tretë, në vitin 1975, synohej të burgosej dhe të dënohej ideja e Demaçit, vizioni i Demaçit, rrjedhimisht, misioni historik i Demaçit?!

Në metodologjinë e punës studimore në këtë libër autori, Selatin Novosella, përdorë edhe metodën krahasuese, siç e kemi rastin në faqen 168 të librit, e gjetiu, ku bëhet krahasimi midis dënimit të Alfred Drajfuzit në Francë dhe Adem Demaçit në Jugosllavi. Për Drjafuzin çifut, në Francë, që e dënuan për “tradhti” me burgim të përjetshëm, për fatin e tij u interesua shkrimtari e madh, Emil Zola, i cili shkroi artikullin e njohur “Akuzoj”. Për këtë edhe Emil Zolën e dënuan në mungesë. Shkrimet e Zolës bënë që t’i zvogëlohej dënimi dhe, pastaj, të amnistohej Drajfuzi krejtësisht. Kurse për Adem Demaçin nuk u gjet një Emil Zolë te shkrimtarët shqiptarë. Përkundrazi, disa shkrimtarë dhe gazetarë, si Fahredin Gunga, Isak Hasani, Ali Olloni, Mustafa Rushiti etj., pas gjykimit të Demaçit, ata, me shkrimet dhe komentet e tyre, i ringritën aktakuza të reja Demaçit, duke e satanizuar në televizionet, revistat dhe gazetat e kohës!

Asokohe, në vitin 1975, për dënimin e tretë të Demaçit, vetëm një gazetë kroate shkruante, se “deri tashti Adem Demaçi ishte një herë udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, ndërsa, pas këtij gjykimi, ai do të jetë dy herë udhëheqës i tyre”. Kjo, pikërisht, ashtu ndodhi. Pas këtij gjykimi, vërtetë, Demaçi do të shndërrohet në lider shpirtëror të shqiptarëve të robëruar në Viset shqiptare nën pushtimin e ish-Jugosllavisë. Andaj, kësaj figure e të madhërishme historike, do t’i jepen, me meritë, shumë epitete, në mesin e të cilave: “Mandela shqiptar”; “Zeusi shqiptar”; “Prometheu shqiptar”; “Krishti shqiptar” etj., pasi që angazhimet dhe sakrificat e tija e kishin shndërruar atë në figurë dhe shenjë të shenjtë te shqiptarët. Andaj, jo rastësisht, Adem Demaçi, në vitin 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u emërua përfaqësues i përgjithshëm politik i kësaj ushtrie, e cila, së bashku edhe me forcat e NATO-s, nën udhëheqjen e ShBA-së, arriti që Kosova ta realizojë ëndrrën shekullore, lirinë dhe pavarësinë e saj.

(Recension i lexuar në aktivitetin kulturor “Struga për Demaçin”, mbajtur në Strugë)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button