Zgjidhen zëvendësit e avokatit të popullit dhe një anëtar i Këshillit gjyqësor

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e zgjodhi Vllade Bogdanovskin për anëtar të Këshillit gjyqësor, ndërsa Suzana Saliun dhe Jovan Andonovskin për zëvendës të avokatit të popullit.

Në pjesën e pasdites së seancës së djeshme, deputetët i miratuan edhe Marrëveshjen për bashkëpunim për çështje nga fusha e integrimit evropian mes Qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës, Ligjin për ratifikim të Marrëveshjes për themelimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor, Marrëveshjen mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Rumanisë për mbrojtje të ndërsjellë të informatave të klasifikuara dhe Ligjit për ratifikim të Marrëveshjes për themelimin e zyrës rajonale për bashkëpunim rinor.

Për propozim-ligjin për punësim të njëqind studentëve më të mirë të diplomuar nga universitetet publike, Kuvendi do të votojë nesër pasi Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive do të shprehet nëse duhet të votohet me shumicë prej dy të tretave sipas kërkesës së deputetit Talat Xhaferi.

Sipas Xhaferit, ideja për punësimin e studentëve më të mirë është e mirë, por kontestues është kriteri i cili ka të bëjë me njohjen e gjuhës maqedonase, me çka vihen në pozitë të pabarabartë të gjithë kandidatët. Për shkak të kësaj, Xhaferi kërkoi që ligji të votohet sipas Badenterit dhe për këtë propozim të tij të prononcohet Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive.

Me procedurë të shkurtuar janë miratuar edhe ndryshimet e Ligjit për punë të brendshme, Ligjit për toka ndërtimore dhe Ligjit për shërbime postare, ndërsa në lexim të parë janë pranuar ndryshimet e Ligjit për veprimtari inovative dhe ndryshimet e Ligjit për banka.

Kuvendi i miratoi edhe ndryshimet e Ligjit për dekorata dhe mirënjohje të Republikës së Maqedonisë me të cilin vendoset dekoratë e re e quajtur “Nënë Tereza”. Komisioni  i cili e propozon fituesin e dekoratës do të ketë pesë anëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button