Propagandë partiake e shitur si lajm

[Recension: Ndërkombëtarët braktisin BDI-në, pas mosvotimit të ligjeve për PSP-në ska më takime me Ahmetin]

Pjesa më e madhe e teksteve, të cilët pretendojnë të konsiderohen lajme nga ana e redaksive të ndryshme, por që është e vështirë të cilësohen ashtu, janë pikërisht ato lajme që ‘çalojnë’ që nga titulli me një të ecur propagandistike. Arsyeja është shumë e thjeshtë: çdo tentativë për të lançuar ndonjë manipulim të planifikuar, duhet të posedojë një titull bombastik apo shokues me qëllim që lexuesi ta ketë më të lehtë për të gëlltitur përmbajtjen.

screenshot-85Linku për te artikulli origjinal: Ndërkombëtarët braktisin BDI-në, pas mosvotimit të ligjeve për PSP-në ska më takime me Ahmetin

Data dhe koha e publikimit: 06.10.2016

Data e recensionit: 06.10.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Personat që janë pak më të informuar për ngjarjet ditore, e sidomos ata që merren me përpunimin e informacionit, mund ta honepsim lapsusin e lajmit që në fillim. Titulli i këtij lajmi thotë që ndërkombëtarët braktisin BDI-në sepse deputetët e saj në parlament kanë votuar kundër propozim-ligjeve për PSP-në. Tani, duke e ditur edhe vetë mënyrën e komunikimit të ndërkombëtarëve me faktorët politik në vend, duke e njohur strategjinë e tyre të veprimit dhe së fundmi duke e parë se vetëm një medium i vetëm del me një titull të tillë, automatikisht të bën të dyshosh në vërtetësinë e lajmit.

Fakti që një pjesë e deputetëve refuzuan të votojnë këto propozim-ligje, kjo nuk do të thotë se këtu përfundon raporti i tyre me ndërkombëtarët. Takimet që kanë zhvilluar përfaqësuesit e huaj me partitë jashtëparlamentare shqiptare, nuk nënkupton a-priori se ato refuzojnë të takohen me strukturat partiake të qeverisë, sic thotë teksti. Në një kuptim më të përgjithshëm, së paku mund të thuhet se lajmi është i shoqëruar me komente individuale të autorit apo redaksisë, gjë që në këtë zhanr nuk lejohet.

Ndërkohë, vërehet edhe një anshmëri e tekstit në favor të një subjekti tjetër politik. Artikulli kësisoji nuk është i balancuar, kap vetëm njërën kahje dhe nuk është gjithpërfshirës. Me pak fjalë, vërehet shumë kollaj se kemi të bëjmë me një tekst të porositur apo të shkruar në mënyrë të pavarur por me qëllim të diskreditimit të partive të tjera dhe ngritjen në piedestal të një subjekti politik, siç ndodh për shembull me Lëvizjen Besa në këtë tekst.

Ndërkaq, subjektiviteti i asaj që është botuar bëhet edhe më i theksuar, sidomos kur përmbyllet me një ‘pyetje’, sipas të cilës BDI ka filluar të defaktorizohet dhe po bie nga skena politike. Pra, më tepër mund të themi se kemi të bëjmë me një shkrim të një zyre PR-i të një partie politike, se sa me një shkrim gazetaresk.

Do të ishte shumë më korrekte të potencohej, për shembull, se “nga një komunikatë që kemi pranuar nga Lëvizja Besa, thuhet se…”, duke renditur argumentet apo demantet që janë të paraqitura në reagim. Por kështu siç është, nuk shkon, sepse vetë lajmi është shndërruar në një komunikatë partie. Në vend që të kërkohej llogari apo sqarim nga BDI-ja dhe deputetët e saj se përse refuzuan të votojnë ligjin për PSP-së, teksti këtu e ka injoruar tërësisht këtë pjesë, duke përfshirë vetëm vështrimet dhe synimet e një partie konkurruese politike.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button