Erdogan: Gjylen paraqet kërcënim për 170 vende në botë

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan mbrëmë në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në Nju-Jork u bëri thirrje liderëve botëror të ndërmarrin masa kundër “rrjetit terrorist” të predikuesit islamik Fetulah Gjylen, duke vlerësuar se ai e rrezikon sigurinë e tyre, transmeton MIA.

“Nga kjo foltore u bëj thirrje të gjithë miqve tanë urgjentisht t’i ndërmarrin masat e nevojshme kundër organizatës terroriste të Gjylenit, për shkak të mbrojtjes së sigurisë personale dhe sigurisë së kombeve të tyre”, deklaroi Erdogan, duke shtuar se kjo organizatë nuk paraqet kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për të gjithë 170 vendet në botë, në të cilat ka institucione dhe aktivitete të saj.

Sipas Erdoganit, numrat e tillë do të thonë se pjesa më e madhe nga vendet anëtare të KB-së janë të rrezikuara nga “struktura ilegale” e Gjylenit.

Ankaraja e akuzon Gjylenin, i cili jeton në ekzil vullnetar në SHBA, se qëndron pas tentimit për grusht shtet në Turqi në korrik të këtij viti dhe deri tani në disa raste kërkoi nga autoritetet amerikane ekstradimin e tij, por Uashingtoni kërkoj  prova qarta për lidhjen e tij me ngjarjet, për të cilat e akuzojnë autoritetet turke.

Siç njofton Al Xhezira, Erdogan gjatë fjalimit u përqëndrua edhe në situatën në Siri, duke vlerësuar se intervenimi turk në këtë vend në fillim të muajit ka kontribuar për “vendosje të paqes, ekuilibirit dhe stabilitetit në rajon”, ku sipas tij, mbretëron mungesa e shpresës.

“Falë operacionit tonë i çliruam qytetet Xharablus dhe Al Raj dhe e zhvendosëm linjën mes Xharablus dhe Azaz, me çka krijuam korridor të paqes. Qëllimi i aksionit tonë është krijimi i zonës së sigurtë”, porositi Erdogan.

Ai foli edhe për marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së, me ç’rast e akuzoi Brukselin se nuk i ka përmbushur premtimet e saj ndaj Ankarasë lidhur me afrimin e vendit drejt Unionit.

Ndryshe, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së merr pjesë edhe delegacioni i Maqedonisë, i udhëhequr nga presidenti Gjorge Ivanov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button