NEOSHQIPTARIZMA

Neoshqiptarizma është rrymë e të menduarit filozofik dhe politik. Ajo lindi në fund të viteve 20-të dhe u zhvillua në vitet e 30-të të shekullit të kaluar. Si rrymë kulturore dhe politike ishte projektuar nga Branko Merxhani dhe ishte përkrahur nga intelektualët më vizionarë të botës shqiptare.

Neoshqiptarizma synonte bërjen e një Shqipërie të Re, me shpirt e qytetërim shqiptar, me elitë të re dhe të emancipuar shqiptare, të shkëputur nga mendësia anakronike dhe e orientuar drejt vlerave perëndimore.

Ishte shfaqur në vendin ku mbretëronte injoranca e theksuar dhe varfëria e skajshme, prandaj synonte modernizimin e shoqërisë shqiptare të kohës.

Shoqëria e re do të duhej të krijohej nëpërmjet rregullit, metodës dhe disiplinës; nëpërmjet funksionimit të shtetit të së drejtës.

Kjo lëvizje mendore mund të përshtatet për rrethanat tona dhe të shërbejë si projekt për veprimin tonë të përbashkët.

Neoshqiptarizma do të thotë të angazhohesh për reformë shpirtërore para se të tentosh të bësh reforma shoqërore. Të jesh qenie me ndërgjegje shoqërore, pra të kesh ndjenjë për jetën e përbashkët. Të jesh i kufizuar së jashtmi dhe i pakufizuar së brendshmi. Të njohësh realitetin që të mund ta ndryshosh. Të njohësh plagët e shoqërisë shqiptare para se t’i shërosh. Të jetosh jo vetëm për vete, por edhe për ata që nuk kanë ardhur. Ta organizosh kaosin brenda vetes. Të kesh ndjenjën e shqiptarizmës dhe të europianizmës. Të kesh një ideal kombëtar, sepse njeriu pa një qëllim është i çorientuar. Të mos merresh me andrrallat e së kaluarës, por të kontribuosh për të lartësuar një komb modern e të qytetëruar. Të mos jesh ksenofob, por të punosh që kombi të ketë vend nderi në familjen e kombeve të qytetëruar.

Neoshqiptarizma angazhohet për shoqëri perëndimore, për demokraci, shtet të së drejtës dhe çlirim nga mendësia e vjetër. Ajo synon që shkaqet e thella të anarkisë shoqërore të ndriçohen me fenerin e shkencës së sociologjisë.

Neoshqiptarizma synon njohjen e së vërtetës dhe respektimin e saj, njohjen e rrezikut për ta mposhtur atë, organizimin e kaosit, sepse vetëm kështu dëshmohet një njeri dhe një komb.

Neoshqiptarizma angazhohet për shërimin moral të shoqërisë shqiptare. Lufton lodhjen morale që çon në dekompozimin e një populli dhe shoqërie. Është për shoqëri me rregulla, sepse në të kundërtën pason kaosi. Shkaqet e mjerimit shqiptar i kërkon brenda shqiptarit. Kërkon ndjenjë vetëmohimi për jetë të përbashkët. Synon shoqëri me ideale, sepse në të kundërtën ajo shkon drejt dekompozimit. Angazhohet për krijimin e një inteligjencie me dije dhe kulturë dhe jo një inteligjence shtetërore e partiake e cila është servile.

Neoshqiptarizma është për çlirimin të përgjithmonshëm nga të metat e trashëguara. Është për afrimin e shqiptarëve me mendësinë evropiane. Është për ide të reja dhe jo për riformulim të ideve të vjetra.

Neoshqiptarizma synon një rilindje shpirtërore të shqiptarëve. Dhe pikërisht kjo rilindje u duhet sot shqiptarëve, veçanërisht të këtyre viseve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button