SKAJET E LITARIT

Hyrje në etnopsikologjinë e fisit

Shqiptarët janë një etni që përgjatë shekujve ka ardhur duke u tkurur në territor dhe duke u pakësuar në numër, në sajë të luftërave të bëra kundër pushtuesve më të fuqishëm se vetja. Ata, në mesjetë ishin po aq sa edhe francezët.
Shqiptarët i kanë dhënë botës, (veçmas pushtuesve të tyre…) shumë perandorë, papë, misionarë të lartë, ministra, komandantë ushtarakë, diplomatë, vezirë e kryevezirë, guvernatorë, kryetarë shtetesh e qeverishë…, të cilët bënë shumë për të tjerët, po kurgjë të madhe për veten e tyre.

Ata janë kozmopolitë të lindur, në një botë ku vlerat e tilla janë llaf goje… dhe kanë një cen të madh: janë kolerikë të vrullshëm dhe të shtigjeve të shkurtëra. Kur i nisin punët i nisin hovshëm dhe si askush tjetër, po pastaj, po nuk patën sukses t’i kryejnë brenda kohës sa i mban fryma e huxhumit karakteristik, nuk nxjerrin kurgjë prej gjëje. Ndoshta këtu qëndron ana e pakapshme e filozofisë shqiptare të cilën u munduan ta deshifrojnë e ta përmbledhin brenda kornizave të një përkufizimi njerëz të shquar të shkencës e të kulturës. Ndoshta këtu duhet kërkuar burimin e dy pamjeve që pozojnë në dy ekstremet e litarit të jetës shqiptare, skaji i parë i të cilit reflekton virtytet tona dhe mund të njihet, bie fjala, me leximin e shënimeve të murgut mesjetar Brokardus Monakus, ato të të famshmes Edith Durham, vargjet e Lord Bajronit…, kurse skaji tjetër, ai që ta jep në pëllëmbë të dorës pjesën gri të etnopsikologjisë shqiptare – veset kronike që na e ndalin rritën dhe na bëjnë të marshojmë në vend, qartësohet edhe veç nga tablotë e gjeniut të madh – Faik Konicës.

Në fakt, shqiptarët janë e panjohura e misterit personal. Cili nesh e di përse kultivojmë me vetëdije energjitë negative dhe përse ato i kanalizojmë kundër vetvetes? Përse nuk e kemi ndjenjën e të përbashktës? dhe Përse nuk e durojmë njëri-tjetrin?

Natyrisht, arsyetimi i formulave mbi individualistët e fortë, nuk mjafton për ta kënaqur të vërtetën që kalamendet diku mes enigmave dhe pyetjeve retorike.

Filozofia e përvetësimeve

Kur e pyetën Konicën (këtë ma kanë thënë të tjerët…): sa vlen një shqiptar, Ai u përgjigj: “Sa gjithë bota”. Po sa vlejnë atëherë dy?, e pyetën sërish bashkëbiseduesit që përgjigjen e tij e morrën si një tollumbac të stërfryrë. “Një hiç”, u përgjigj Konica, me qetësinë e një mumje në fytyrë.

Po ia shtuam kësaj atë thënien në gjendje depresive të Fishtës: “E paskna pasë ma kollaj me e mbushë një thes me pleshta se me i bashkue shqiptarët…”, që duket si e nxitur nga mallkimi hyjnor: Dy bashkë mos u bëfshi!, del sheshit përse shqiptarët nuk e bëjnë fort mall njëri-tjetrin dhe përse nuk e kanë ndjenjën e humbjes së njerëzve të tyre, veçmas kuotave më të larta, të cilat ua falin të tjerëve me zemërgjërësi të idiotshme, duke mbajtur për vete heronjtë e llafeve dhe kastragjelat e mëhallës.

Fqinjët tanë, ata që na e njohin mirë dhjamin e kresë, mezi presin t’pështyjmë sipër Oqeaneve tona, për t’iu rekur përvetësimit të tyre, pa u lodhur fare se bien ndesh me antropologjinë. Ata shkojnë në variantin e rrenës së përsëritur 100 herë dhe këtë marifet e kurorëzojnë shpesh me sukses. Veç budallenjtë mendojnë se hipnoza e përsëritjes nuk pi ujë ndër ne. Kështu e salduan për vete Shën Naumin, të cilin Noli e pat fituar me gjyq ndërkombëtar (1924), me avokatin francez Zhilber Zhidel… Mjerisht, “pratenikët” shqipfolës nuk e patën idenë elementare për këtë gjë, ndaj, kur u shtypën banknotat e para maqedonase (shqip dhe patriotshëm: paratë e para të Maqedonisë), luftuan si luajë gjersa imponuan në to lejenjoftimin tonë më të moçëm – Hamamin, duke e shtyrë tjetrin t’na mëshirojë me përbuzje të merituar.

I njëjti mekanizëm (hipnoza e imitimit të përsëritur) ka përvetësuar dhe kostumet shqiptare…, folklorin burimor, madje dhe këngët polifonike…, duke u përpjekur me shkëpurdhje t’ia shesë ato botës si vlera autoktone, të cilave ne do t’u dalim zot kur të zgjohemi nga vdekja. Tani përpiqen ta përvetësojnë me gjithë mend edhe Nënën Trereze, duke shfrytëzuar maksimalisht vetëdijen tonë në mungesë, kujtesën prej harabeli, dijen e vockël dhe injorancën me përmasa oqeanike.

Të mjerët ne që nuk dimë t’i dalim zot Bjeshkës sonë, të gjorët ata që përpiqen të legjitimohen me emrin e saj, duke harruar se personalitetet si Nëna Tereze janë tepër të mëdhenj për t’u kunsumuar nga orekse vocrrakësh, që duhet ta kuptojnë një ditë se janë qesharakë kur i dalin zot asaj që me asnjë alkimi nuk mund të jetë e tyre, sepse është Gonxhe, sepse është shqiptare, sepse është katolike…

Të tillët gërvallen se gjoja e duan shumë Nënë Terezën dhe e nderojnë me filma (që kanë në plan të parë kushërirat e saj sllave!?); i ngrenë përmendore, pllaka përkujtimore…

“Dashuri me thembër”, do të thoshte çdo njeri me 2 bërthanka në kokë, kur ta shihte pllakën përkujtimore në mes të rrugës, diku në sheshin qendror të Shkupit, ku ishin dikur themelet e shtëpisë së saj, sipër të cilës ngjet baltën e opingës i rrjepti e i shqepti…

Megjithatë, ata janë një hap para nesh, që, nga xhahilët shqipfolës, shpesh tutemi t’i dalim zot Gonxhes, sa herë që bota lidh papërsëritshmërinë e saj me imazhin e etnisë që e lindi dhe rriti.

Koqja me qelb

Qe 7 shtatori i vitit 1997, kur gazetat u gdhinë me lajmin e hidhur: Vdiq Nëna Tereze!
Gjigantja THE NEW YORK TIMES solli kumtin e hidhur në një gjysëm faqe, ndërkaq, gazetat e shumta me renome botërore e me tirazh disa milionësh rezervuan dhjetra faqe për SHENJTOREN SHQIPTARE, koshientë për humbjen e madhe të njerëzimit. Vetëm paçavurja jonë me emër të mendermethënshëm – flaka e vëllazërimit (i rrëntë emri n’benzinë!), nuk e tha ashnjë fjalë, nuk e shkroi asnjë rresht (!?).

Kurgjë e jashtëzakonshme: Insanët po derxhnin damllën e trurit të vogël dhe meskinllëkun kronik të shpirtit të dresuar për gjynah; po derxhnin mallkimin hyjnor duke u kalamendur si të marrë pas shpërndarësve profesionistë të mjegullnajës (ImZot, pse i lë të tillët t’na e zhbëjnë shpirtin?!), prapa së cilës nuk duken majat e Olimpit shqiptar.
Gabimi qe i idiotshëm dhe pas tij, çdo publik lexues do ndjehej i fyer dhe do çmësohej në vend prej gërdive. Po kush kishte “gajlen” e Nënës Tereze javën kur shqiptarët mbetën pa princeshën e bukur të Uelsit dhe ashikun e saj të zeshkët; kush mërzitej për humbjen e një plake, që fundja s’ishte e fesë sonë, në kohën kur paçavurja sillte informacione mbi shënimin spektakular të 850 vjetorit të themelimit të këlbes shqiptare – Moskës.
“Koqe me qelb”, do të thoshte Konica, për foton e unikatshme të shqelmimit të NJËSHIT, prapa të cilit mbetet kufoma e lejenjoftimit kolektiv prej statistike, injorance, zeroje me xhufkë…

Lulja e marres

Javën e vdekjes së Nënës Tereze, në Kishën Katolike të Shkupit, u mbajt një meshë e përshpirtshme, ku morrën pjesë figurat më eminente të shtetit maqedonas, përfshirë këtu edhe kryetarin e shtetit, atë të qeverisë, atë të parlamentit… Aty qe dhe kreu i kishës ortodokse dhe shumë personalitete të tjerë që erdhën ta nderojnë emrin e Saj dhe vetveten. Vetëm shqiptarët ishin në mungesë, me përjashtim të ca intelektualëve, si: Murat Isaku, Nehat Beqiri, Teuta Arifi… Asnjë kryetar partie, asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë klerik musliman nuk ishte aty, njësoj si në mbrëmjen përkujtimore të organizuar të njëjtën ditë, në shtëpinë e kulturës në Tetovë, ku erdhi të evokojë kujtimet e tij njohësi më i mirë ndër shqiptarët i Nënës Tereze – Dom Lush Gjergji.

“Lulja e marres!”, do të thoshte një mik imi: në sallën (e vogël) gati të boshatisur dominonin ata që kishin ardhur të takojnë vëllezërit e gjuhës dhe të gjakut për këtë humbje të madhe, nga e cila ne, ashiqare, po dilnim si prej një hiçi, duke reflektuar kësisoj boshllëkun e madh të shpirtit kolektiv të shpenzuar gjithandej mullinjve të huaj.

A qe Nëna Tereze shqiptare?

Pyetje idiotike!, po veç për ata që nuk jetojnë në vorbën ballkanike, ku përvetësimi i vlerave të huaja nga malukati artificial dhe përjashtimi nga etnia i Humanistes nga malukati shqipfolës është zanat i moçëm.
“Për sa i përket gjakut dhe prejardhjes, unë jam Shqiptare, indiane për kah nënshtetësia, motër – murgeshë katolike, për kah thirrja…”, deklaroi Nënë Tereza në një intervistë, me rastin e pranimit të çmimit Nobel.
Po të njëjtin vit (1979) Ajo deklaroi për Radio Prishtinën: “Une gjithmon e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shum luti Zotin qi Paqja e Tij të vijnë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutem shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.

Kështu shprehej kudo Tereza Bojaxhiu, Gonxhja jonë, lulja më aromëplote e shekullit të XX, Nëna e Rruzullit Tokësor, në kohën kur Shqipëria nuk i hapte kapixhikët e saj për t’i mundësuar takimin e mbramë me nënën Drane, që po vdiste nga pesha e mallit, diku në Tiranën e lirë… Shqipëria që nuk u dha “as varr për horr” bijve të saj më të zgjedhur, Shqipëria që nuk e tradhëtoi kurrë MARENGELENIN, duke mos përmbushur vite më parë as amanetin e dhimbshëm gjer n’ekstrem të birit të saj fisnik – Faik Konicës…

Dranja po vdiste syhapur, pa e parë të birin Lazrin dhe Gonxhe Gjilin e saj të dashtun. Më kot trokiti Gonxhja dyerve të shurdhëra të ambasadave shqiptare. Kot intervenuan personalitetet si John Kenedi, De Goli, Indira Gandi…
“Para Nënës Tereze ne të gjithë e ndiejmë veten të vegjël, turpërohemi para vetvetes…”, pati deklaruar pa hezitim Indira Gandi. Po Shqipëria ishte n’ekstazën e krenarisë dhe nuk e njihte kategorinë e turpit. Ndërgjegja e saj në mungesë nuk mund ta përulte madhështinë e vet prej xhuxhit të Ali Podrimjes… para “kërkushëve” të botës, për ta plotësuar amanetin e dhimbshëm të një lokeje: “E vetmja dëshirë është t’ju shoh edhe një herë para se të vdes, ty dhe familjen tënde si dhe Gonxhe Gjylin teme të dashtun…”

“O Zot!”, do belbëzojë nëpër dhëmbë Nëna Tereze, e gjendur para muzgut të mendjes shqiptare: “Unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vete, por shumë vështirë e kuptoj dhe e pranoj për Nënën Loke time, e cila në pleqëri të shtyeme, nuk dëshiron më asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë…”
Lokja, edhe në gjendje kllapie, e kuptoi se në shtetthin e Shqiptarëve nuk mund të ketë vend për “të fejuarën e Krishtit”, ndaj shkroi për të funtmen herë: “Edhe mos u pashim në këtë tokë të mjerë, bija ime, ne me siguri do të shihemi në qiell…”

Lexojeni edhe një herë togfjalëshin: TOKË TË MJERË dhe luajeni në pakufi lojën e asociacioneve me djerrina, shkretëtira, xhehenemë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button