RDK uron fillimin e vitit të ri shkollor

“Urime të përzemërta për fillimin e vitit shkollor 2016/2017 për të gjithë fëmijët, sidomos për ata që për herë të parë do të marrin rrugën e shkronjave. Uroj që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të njohin vetëm përkushtimin dhe sukseset në rrugën e shkollimit të tyre që është e mbushur me kureshtje dhe sprova të reja. Uroj që mësimdhënësit me zellin, disiplinën, vullnetin dhe seriozitetin e tyre të jenë mbrojtësit më të devotshëm të vlerave arsimore dhe shoqërore, që do ti aftësojnë dhe përgatisin brezat e rinj për të dhënë kontributin e duhur në zhvillimin e kombit tonë”, thuhet në kumtesën e kryetarit të RDK-së, Vesel Memedi, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

“Pavarësisht faktit se kjo është një ditë urimi dhe festimi për fillestarët dhe mësuesit, serish duhet të themi të vërtetën e problemeve dhe peripecive që ballafaqohet arsimi shqip në këtë vend. Regjistrimet e fëmijëve, qoftë ata në shkollat fillore apo të mesme nuk japin ndonjë shpresë premtuese për kombin shqiptarë në përgjithësi për shkak të rrënjës drastike të numrit të fëmijëve shqiptarë që regjistrohen nëpër shkolla. Nëse kësaj ia shtojmë edhe infrastrukturën shkollore dhe logjistike gjithnjë në shkatërrim e sipër, mungesën e teksteve shkollore, teksteve me përmbajtje fyese për shqiptarët që e nxisin jotelerancën, urrejtjen dhe diskriminimin, atëherë nuk na ngelet gjë tjetër përpos të shpresojmë se do të merren masa të duhura që të evitohen të gjitha këto, edhe pse fillimi nuk na jep ndonjë shpresë për përmirësim në këtë drejtim”, shkruhet në kumtesë.

Memedi gjithashtu shtojnë se të gjithë mësimdhënësit e kanë për obligim moral dhe profesional që të reagojnë në kohë për evitimin e pengesave artificiale dhe teknike që i ka plasuar politika ditore, me qëllim që t’i kthejmë dhe zhvillojmë vlerat e vërteta të arsimit që janë krijuar ndër vite.

“Uroj që ky vit të sjellë suksese në punën dhe përpjekjet e përbashkëta të gjithë shoqërisë në rrugën e dijes dhe të formimit të së ardhmes sonë. Suksese në këtë vit të ri shkollor!”, përfundon kryetari i RDK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button