Prishtinë: “Betejë” mes Skënderbeut dhe turqve në shkollën “Elena Gjika” (Foto)

Shkolla Fillore “Elena Gjika” që gjendet në pjesën e vjetër të Prishtinës, përveç që është shkolla më e vjetër në kryeqytet, shquhet edhe për arsimimin në gjuhën turke.

 

Kjo bëhet për shkak të një pjese të komunitetit turk që jeton në këtë pjesë të Prishtinës, transmeton Lajmi.net.

Pak para 1 shtatorit, kur pritet edhe të fillojë viti i ri shkollor, kanë përfunduar edhe renovimet në 11 klasë të kësaj shkolle, në të cilat vijojnë mësimet nxënësit turqisht-folës.

Por jo gjithçka ka shkuar qetë gjatë këtij renovimi të shkollës. Organizata qeveritare turke “TIKA”, donatori kryesor me 100 mijë euro për renovimin e njëmbëdhjetë klasave, në tri prej tyre kishte vendosur disa orë me mbishkrimin e organizatës dhe flamurin turk.

Por këto orë, duket se janë bërë sherr i madh dhe, se kjo çështje është hiperbolizuar, duke i shndërruar në skandal mediatik.

Është Gani Mehmetaj, ish-drejtor i “Kosova Filmit” i cili me një postim të tij ka nxitur reagime shumë të mëdha në opinion.

Në profilin e tij në Facebook, ai kishte shkruar se në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, gjatë renovimit, një kompani turke kishte hequr portretin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për ta zëvendësuar me flamurin e Turqisë.

Ai kishte shkruar se mësimdhënës nga kjo shkollë dhe prindër të nxënësve, do të protestojnë dhe nuk do të hyjnë në shkollë, derisa të hiqen flamujt e Turqisë. Ky status i Gani Mehemtaj, u shpërnda në shumë media e portale, duke u ngritur edhe si çështje.

Pas këtij statusi, lajmi.net kontaktoi me drejtorin e shkollës, Osman Vitia, i cili ka demantuar në mënyrë kategorike këtë status.

“Nuk është e vërtetë, portretet janë në vendin e njëjtë ku kanë qenë gjithmonë”.

Një gjë tjetër ai e bëri të ditur për lajmi.net që kompania e angazhuar nga TIKA turke, kur ka lyer muret u ka ofruar thjesht disa orë muri.

“Nëpër mure janë vënë disa ora që ne i kemi lejuar, në brendësi të tyre është nga një flamur turk, por kjo nuk ngjall asnjë problem. Një gjë e tillë nuk duhet ngritur si çështje problematike”, ka thënë drejtori i shkollës.

Ndërkaq, klasat të cilat janë të mbushura me nxënës shqiptarë nuk kanë ora të tilla në klasët e tyre.

Edhe kur u pyet nëse kjo ka ngjallur problem tek prindërit apo tek arsimtarët, ai ka thënë që jo, pasi kjo nuk u është imponuar askujt dhe ka qenë e lejueshme edhe nga ana e shkollës, madje prindërit nuk u kanë ndaluar nxënësve vijimin e mësimit, ashtu siç është thënë.

Megjithatë, vlen të përmendet se në shkollën fillore “Elena Gjika”, është edhe një klasë e veçantë me nxënës shqiptarë që janë shurdhmemec, e që vite më parë një organizatë portugeze ka investuar në atë klasë, e me këtë rast i kanë lënë një shenjë të vogël rikujtimi, gjë që shkolla vazhdon ende ta mbajë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button