Lavrov: Turqia dhe Rusia do të rifillojnë dialogun për Sirinë

Rusia dhe Turqia së shpejti mund të rivendosin dialogun rreth krizës në Siri, si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka pohuar kryediplomati rus, Sergey Lavrov në Paris, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij francez Jean-Marc Ayrault në Paris, Lavrov tha se janë “hapur dyert” për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, pasi Ankaraja zyrtare ka shprehur ngushëllime familjes së pilotit rus avioni i të cilit u qëllua pasi kishte shkelur hapësirën ajrore turke në nëntorin e vitit 2015.

“Besoj se ne dhe partnerët tanë turq do të rivendosim bashkëpunimin për të zgjidhur krizën në Siri”, tha Sergey Lavrov.

Ai shtoi se pret që të takohet me homologun e tij turk Mevlut Çavusoglu në konferencën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi në Soçi të Rusisë të premten. “Së afërmi kemi pasur kontakte të ngushta me Turqinë për çështjen siriane, por ata u përkeqësuan për shkaqe tashmë të njohura”, ka thënë Lavrov.

Kjo deklaratë është bërë pas bisedës telefonike mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të mërkurën. Të dy udhëheqësit diskutuan rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në çështjet rajonale, krizën humanitare dhe ranë dakord për të ripërtërirë bashkëpunimin, duke përfshirë fushën e tregtisë, turizmit dhe luftën kundër terrorizmit.

Ministrat francez dhe rus të Punëve të Jashtme kanë dënuar sulmin terrorist në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, në të cilin të martën humbën jetën mbi 40 persona, në mesin e të cilëve kishte edhe shtetas të huaj, ndërsa qindra të tjerë u plagosën.

Lavrov dhe Ayrault ranë dakord për nevojën e luftës së përbashkët kundër terrorizmit. “Aktualisht duam të shprehim solidaritetin tonë me popullin turk, me të gjithë miqtë tanë, të shprehim keqardhje dhe ngushëllimet tona të afërmve të viktimave … duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit”, tha Ayrault.

Lavrov gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht kundër organizatës terroriste DAESH.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button