Poloni, nis stërvitja më e madhe ushtarake që në kohën e luftës së Ftohtë: sulmon Moska

Në Poloni, nisi stërvitja më e madhe ushtarake në Europën Lindore që nga kohët e luftës së Ftohtë, duke nxitur dyshime të reja të Moskës ndaj Perëndimit. Për Rusinë, stërvitja është “provokacioni më i madh i bllokut atlantik” që është parë deri në sot pranë kufijve të saj.

Stërvitja me objektiva të mbrojtjes që nisi në Poloni do të zgjasë dhjetë ditë e rrezikon të hedhë në erë ekuilibrin e brishtë mes Moskës dhe Uashingtonit pas hyrjes në funksion, as një muaj më parë, në Deselvu të Rumanisë, të bazës së parë të sistemit të mbrojtjes raketore Aegis Ashore dhe nisjes së punimeve për një bazë të dytë të të njëjtit lloj në Poloni.

Anakonda-16 përfshin 31 mijë ushtarë nga 19 vende anëtare të NATO-s, ndërsa Polonia koordinon operacionet me angazhimin e 12 personave. Veç tyre në terren kanë zbritur 14 mijë amerikanë, ka madje edhe ukrainas e gjeorgjianë. Në stërvitje marrin pjesë 3 mijë mjete tokësore, 105 avionë dhe 12 njësi të marinës. Manovra të tilla “nuk kontribuojnë për atmosferë paqeje dhe besimi në Europë”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Zëvendësministri i punëve të Jashtme, Aleksei Meshkov i përshkroi operacionet si destabilizuese, sikundër deklaroi edhe për ato të parashikuara në Lituani.

Stërvitja zhvillohet një muaj nga samiti i NATO-s në Varshavë (më 8 dhe 9 korrik) ku do të detajohet përforcimi i pranisë ushtarake në kufirin me Rusinë.

Por ajo që shqetëson më së shumti shpirtërat nuk është thjesht Anakonda: prej dy ditësh po zhvillohet edhe në detin Balltin në Baltops një tjetër stërvitje me praninë e mbi 5600 ushtarëve nga 17 vende anëtare të NATO-s që do të zgjasë deri më 20 gusht.

Rusia dukshëm nuk e ka pritur mirë as këtë stërvitje: “Nuk e fshehim zhgënjimin tonë – ka thënë ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov – për këto stërvitje pranë kufijve tanë, me NATO-n në krye që tërheq edhe vendet e tjera pas vetes”. “Anakonda është qartësisht një provokacion”.

Shkëmbimi i replikave mes Moskës dhe aleancës atlantike tashmë është shndërruar në lojën: kush e nisi i pari. “Kur flasim për provokacion, ka thënë komandanti i forcave amerikane në Europë, gjenerali Hodges, – është e dobishme të kujtohet se Rusia ka ende 7 mijë ushtarë në Abkazi pa asnjë bazë ligjore, për të mos folur për Ukrainën dhe ka përforcuar në mënyrë të jashtëzakonshme masat e saj të mbrojtjes në kufijtë me Europën”.

Megjithatë, pavarësisht akuzave, si NATO si Moska zotohen se kanë dëshirën e vullnetin të mbajnë të hapur kanalet e dialogut.

Marrë nga: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button