Ramazani, muaji i vetëdijësimit

Ky muaj,përpos që dallon nga muajt e tjerë për nga forma, ai po ashtu dallon edhe për nga përmbajtja. Në vete nuk ngërthen vetëm mirësi, dashuri, mësime, por edhe reflektime të ndryshme. Nuk vjen per të na penguar nga monotonia dhe përditshmëria, as për të na ndaluar nga ushqimi e pija, ngase në vete bartë një mision tejet të madh dhe sublim. Në vete përmbledh reflektime nga më të ndryshmet, saqë ndonjëherë më duket se të gjitha mësimet jetësore njerëzore janë përbrenda tij. Do dëshiroja që disa reflektime ti shoshisim bashkarisht.

1. Mësimi i parë që njeriu mund të nxjerrë nga ky muaj i shenjtë është se, ai e mëson njeriun si të dalë nga ajo monotoni mendore, shpirtërore dhe vepruese që e ka formuar gjatë jetës së tij.

2. Ai vjen për të na sfiduar, kështu na edukon që ne duhet ta sfidojmë, jo vetëm veten por dhe jetën së bashku me problematikat që sjell ajo. Sepse nëse problemeve mund t’ua kthesh shpinden, kjo nuk do të thotë që i ke zgjidhur ose jan zhdukur ato, përkundrazi.

3. Sjell mesazhin e unifikimit dhe disiplines. Më thuani kur njerëzit janë më të unifikuar dhe disiplinuar se gjatë këtij muaji! Çdo gjë ka kohë dhe orar të caktuar dhe të gjithë, kuptohet ato që i përmbahen ketij muji, unanimisht i përmbahen dhe i kryejnë ato.

4. Ngërthen mesazhin e barazpeshës. Të gjitha cështjet apo aktivitetet shpirtërore, mendore dhe trupore shtohen, zvogëlohen ato që bëjnë pengesë zhvillimin e tyre dhe kotësirat tjera.

5. Asnjëherë më shumë se gjatë këtij muaji, ne nuk ndajmë kohë për familjen dhe duhet ta pranojmë këtë. Të paktën çastet e syfyrit dhe iftarit i ndajmë me ta, e njëjta nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të jetës.

6. Nxjerr në pah anën e mirë, dashurinë, bujarinë dhe tolerancën pothuajsee tek të gjithë agjëruesit. Ju vet jeni dëshmitarë sa arrogantë e zemërngushtë tjetërsohen në këtë muaj.

7. Të mëson për vetpërmbajtje, vetdisciplinë dhe vetëkontrollë. Më së shumti vërehet tek duhanpirësit dhe “gojëlëshuarit”.

8. Ndihmon në ndërgjegjësimin si qytetarë, për ruajtjen e ambientit. Mendoni, kur janë më të pastërta shtëpitë dhe rrugët se gjatë ramazanit.

9. Vetëdijeson njeriun për barazi, dashuri dhe modesti. Nuk dallojnë njerëzit sipas klasave, të gjithë një syfyr dhe iftarë bëjnë.

10. Ndihmon në përmirësimin e raporteve, si në prizmin horizontal, pra me krijesat dhe në atë vertikal, me Krijuesin.

Është koha që të jemi të vetëdijesuar, që kush po na vjen, kë po presim dhe kush do na braktisë. Mos lejo që ky mysafir, të të gjejë prapë trutharë, shpirtëterur e të pavetëdijesuar. Reflekto mbi veten tënde, përkushtoju Zotit tënd, kalo një ramazan duke qenë i vetëdijesuar!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button