Kur komenti etnocentrik shitet si lajm

[Recension: “Kërçova dhe Struga përfundimisht humben nga shqiptarët!”]

Komentet dhe analizat politike janë të mirëseardhura dhe kanë peshën e tyre në sensibilizimin e opinionit publik, apo shfaqjen e pikëpamjeve për një çështje të caktuar. Mirëpo, të publikosh një lajm të tërë pa asnjë referencë të vetme, pa asnjë indicie dhe pa asnjë rregull gazetaresk, kjo nuk është aspak korrekte në raport me publikun.

[Recension: “Kërçova dhe Struga përfundimisht humben nga shqiptarët!”]Linku për te artikulli origjinal: Kërçova dhe Struga përfundimisht humben nga shqiptarët!

Data dhe koha e publikimit: 19.04.2016, ora 10:42 

Data e recensionit: 21.04.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Duke filluar që nga titulli, bëhet fjalë për një fjali që ka për qëllim të nxisë frikë. Imagjinoni, në mënyrë konstatuese jepet një konkluzion, të cilin nuk e ka thënë askush. Është thjeshtë përllogaritje krejtësisht personale e autorit të tekstit, që paraqet shkelje të rregullave profesionale. Por, konkluzionet e frikshme vazhdojnë edhe në tekst, ku përmendet shqetësimi i shqiptarëve të Maqedonisë, gjegjësisht elektoratit në Kërçovë dhe Strugë, të cilët i paskësh kapur paniku se këto dy komuna mund të mos udhëhiqen më nga kryetarë shqiptarë. Dhe, e dini shkakun? Sepse maqedonasit myslimanë janë përkrahës të VMRO DPMNE-së. Më pas, thellohet akoma më shumë absurditeti i këtij teksti, kur përmendet edhe një “skenar” nga ana e VMRO-DPMNE-së, e cila paska nën kontroll të gjithë, siç i quan autori, maqedonasit – myslimanë. Këto konstatime kaq kategorike nuk i gjen dot as në teoritë e shkencave të natyrës, ku numri 1 ngelet 1 deri në fund.

Si për çudi, një fjali është e qëlluar, e cila thotë se dallimi në mes kandidatit Fatmir Dehari dhe kandidatit maqedonas gjatë zgjedhjeve të kaluara lokale ka qenë shumë i vogël. Edhepse do të duhej që të kërkohej në arkiva elektronike se sa ka qenë dallimi në mes këtyre dy kandidatëve, përsëri, kjo qëndron si informacion. Por, e në këtë tekst gjithmonë ka një “por”, ky informacion shfrytëzohet për të dalë në konkluzionin njësoj të frikshëm se kësaj radhe shqiptarët në Kërçovë do të humbin, gjegjësisht në krye të komunës do të vijë një kryetar maqedonas.

Në këtë qytet shqiptarë dy partitë maqedonase edhe pse u konfrontuan tepër mes tyre VMRO-DPMNE dhe LSDM, përsëri për interes të qytetarëve maqedonas, ata u bashkuan, shkruan Zhurnal.”

Pastaj, përmbajtja kalon në Llabunishtë, ku VMRO-DPMNE-ja paska ndikim të madh tek maqedonasit myslimanë etj . Përmendet edhe një deklaratë e Antonio Milloshovskit (e cila nuk publikohet, por vetëm përmendet se e ka dhënë diku). E krejt në fund, qershia mbi tortë. Një ish-deputete, Nora Ismaillovska na qenka nga Llabunishti. Pa këtë fjali, ky tekst do të ishte shumë “i varfër”!

Kodi etik i Gazetarëve thotë:

“Duhet të jenë qartë të ndara, cilët janë faktet dhe cilat informacionet, dhe cilat janë komente, hipoteza ose qëndrime të autorit për të shmangur dezinfomrimi dhe manipulimin me publikun.”

Përtej shakave në kontekst pozitiv, të gjitha këto që janë thënë në këtë material të recensuar, ndoshta mund të jenë parashikime shumë të sakta dhe të gjitha mund të dalin nesër. Çështja është që në gazetari këto pohime kërkojnë argumentimin e asaj që thuhet, duke distancuar bindjet personale dhe duke mos shfrenuar fantazinë që nuk ka asnjë lidhje me ndonjë dëshmi apo deklaratë që të jetë thënë nga dikush. E sidomos për çështje delikate ndëretnike, të cilat nuk duhet të shtjellohen nga një prizmë etnocentrike. Veçanërisht jo në gazetari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button