Bushati-Tahiri, takim me komunitetin shqiptar në Greqi

Ministrat Ditmir Bushati dhe Saimir Tahiri kanë zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar që jeton në Greqinë e Veriut. Ata ndodhen në Selanik për takimin e ministrave të Brendshëm e të Jashtëm të rajonit, për të biseduar rreth çështjes së refugjatëve.

Mësohet se ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të komunitet shqiptar në Greqi, si një urë solide në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjithashtu, ata çmuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve.

Bushati dhe Tahiri i njohën të pranishmit me ligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”. Kjo nismë do të krijojë mundësinë për të pasur të dhëna konkrete dhe të besueshme për të gjithë shqiptarët me banim jashtë vendit, mbi shtrirjen e tyre gjeografike dhe strukturën demografike, me qëllim përmirësimin e shërbimeve që do u ofrohen.

Ministri Bushati paraqiti prioritetet e reformës së shërbimeve konsullore, duke vënë theksin në rishikimin tërësor të politikave tarifore për shërbimet që ofrohen në sportelet konsullore, i cili ka rezultuar në uljen e dukshme të kostove për shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit. Krahas rritjes së aksesit të publikut për informacion, kjo reformë synon gjithashtu zgjerimin e gamës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve konsullore.

Iniciativa për dhënien e certifikatave pranë sporteleve tona konsullore që aplikohet në Itali është vetëm fillimi i një përpjekjeje që do të pasohet nga projekti i “Konsullatës Digjitale”, i cili synon që një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat.

Në këtë takim, ministri i Jashtëm shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të punuar së bashku me palën greke që të njëjtin shërbim për lëshimin e certifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë që ofrohet në Konsullatat tona në Itali, të ofrohet edhe në Greqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button