Nadia Murad: Bota të parandalojë terrorizmin dhe të ndihmojë refugjatët

Vajza 22 vjeçare nga Iraku, Nadia Murad, e cila u rrëmbye nga organizata terroriste DAESH dhe pas një kohe arriti të arratisej, sot vizitoi kampin e refugjatëve në Idomeni, ku ndodhen të bllokuar rreth 12 mijë refugjatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nadia Murad pas shëtitjes nëpër kampin në Idomeni apeloi që të ofrohet ndihmë për refugjatët, të cilët përpiqen të ikin nga terrorizmi dhe nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë. Ajo theksoi se në Idomeni refugjatët jetojnë në kushte të mjerueshme, ndërkohë kërkoi nga Greqia që të gjejë vende për akomodimin e refugjatëve nëpër kampe të tjera.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj gjendje, se çfarë është duke ndodhur dhe të gjejë një zgjidhje. Tani për tani janë të bllokuar me mijëra, mirëpo nëse nuk parandalojnë terrorizmin, ky numër do të rritet në miliona refugjatë. Bota duhet të bëj dy gjëra: të parandalojë terrorizmin, si dhe të ndihmojë refugjatët që ikin nga terrorizmi dhe nuk kanë asnjë vend tjetër për të shkuar”, tha Murad.

Nadia Murad Basee Taha është njëra nga 5 mijë gratë e marra rob në kohën kur organizata terroriste DAESH depërtoi në territoret e Irakut verior. Ajo u rrëmbye në gusht të vitit 2014 në fshatin e saj në një provincë të Irakut dhe më pas u dërgua me autobus në Mosul. Pas tre muajsh ajo arriti të arratisej dhe t’i shpëtonte torturave të DAESH-it, ndërsa tani jeton në Gjermani.

22 vjeçarja nga Iraku tmerrin e përjetuar gjatë tre muajve si skllave e DAESH-it e ka rrëfyer në OKB dhe iu lut Këshillit të Sigurimit për të zhdukur këtë organizatë terroriste. Më pak se 24 orë pas paraqitjes së Nadia Murad-it në OKB, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se DAESH është duke kryer gjenocid ndaj popullsisë irakiane dhe siriane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button