Përdorimi i çështjeve fetare për garë mes komuniteteve është i rrezikshëm!

[Recension:  Në Tetovë ka 10 xhamia më shumë se kisha]

Do të nis me faktin tashmë të njohur, se çështjet fetare dhe etnike gjithnjë e më shumë po (keq)përdoren për të tërhequr më shumë lexues. Media të shumta tentojnë që diversitetin fetar në Maqedoni ta shndërrojnë në garë mes dy komuniteteve më të mëdha, atij mysliman dhe ortodoks.

Në Tetovë ka 10 xhamia më shumë se kishaLinku deri te artikulli origjinal: Në Tetovë ka 10 xhamia më shumë se kisha

Data dhe koha e publikimit: 19.03.2016 në 18:36

Data e recensionit: 28.03.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Në këtë rast, teksti ka tentuar të tërheqë vëmendjen me numrin e objekteve fetare, si një ilustrim për popullatën që jeton me një vend të caktuar, duke marrë si shembull Tetovën. Mirëpo, duke shkruar për numrin e kishave që dallon vetëm për 10 objekte më pak se xhamitë (për të cilën nuk citohet burim konkret), dhe duke përdorur vokabular që implikon se komuniteti mysliman është në rrezik, siç është “Maqedonia fillon të pyllëzohet me kisha…”, përmbajtja fillon të rrëshqasë prej binarëve të gazetarisë profesionale.

“Maqedonia fillon të pyllëzohet me kisha ortodokse maqedonase të cilët kryesishtë ndërtohet pas vitit 2001 në Maqedoni. Zhurnal ka arritur të siguroj informacione të sigurta se në Tetovë ku dominojnë shqiptarët musliman ka plotë 88 kisha ortodokse maqedonase të cilët janë ndërtuar kryesisht pas vitit 2000. Mirëpo numri i xhamive në Tetovë dhe rrethinë është 98 xhami të besimtarëve musliman. Zhurnal shkraun se në Tetovë dhe rrethinë numri i xhamive është për 10 më shumë objekte fetare muslimane se numri i kishave ortodokse”

Duke përmendur faktin se shumica e kishave janë ndërtuar pas konfliktit të vitit 2001 kur Tetova filloi të “pastrohet” etnikisht, autori tenton të bëjë njëfarë paralele se si duken komunat e drejtuara nga kuadro maqedonase dhe ku jetojnë shumicë e popullatës ortodokse, dhe si duket për shembull Tetova, ku jetojnë shumica e shqiptarëve me besim kryesisht mysliman.

“Maqedonia po tronditet edhe nga një megaskandal ku kryetarja e komunës së Kisella Vodës, Biljana Beliçanec ka shpalosur stemën e re të komunës ku shihet qartë kasha me një kryq gjigant, raporton Zhurnal. Në komunën e Kisella Vodës jetojnë qindra banorë të komunitetit mysliman të cilët stemën e re me kryq e përjetojnë si provokim të madh. Vendosja e kishave dhe kryqeve promovon kulturën ortodokse maqedonase e cila i diskriminon të gjitha etnitetet dhe religjionet tjera”

Po të kishte qenë lajmi i bazuar vetëm në këto të dhëna, ndoshta nuk do të ishte aq tragjike, sa thirrja që bëhet në tekst deri tek Komisioni për Çështje Fetare dhe Qeveria që të reagojnë për vendosjen e një simboli fetar në stemën e komunës “Kisella Voda”, e pa e bërë punën që duhet të bëjnë gazetarët – të tentojnë që vetë të kërkojnë llogari apo përgjigje nga këta dy subjekte. Madje, gazetari në tekst ka sugjeruar, sikur të jetë vetë politikan, që të gjitha komunat me shumicë të popullatës shqiptare të vendosin xhaminë në simbolin komunal, si kundërpërgjigje ndaj veprimit të kësaj komune me shumicë maqedonase.

“Komisioni për çështje fetare dhe Qeveria urgjentisht duhet të reagojnë ndaj komunës së Kisella Vodës e cila si simbol në stemën e saj ka vendosur kishën, në të kundërtën të gjithë komunat shqiptare në Maqedoni duhet të mendojnë mirë që si stemë të vendosin xhaminë”

Është e paqartë se kujt po i kërkon llogari ky medium lidhur me disbalancin e objekteve fetare, pasi që sipas Ligjit për pozitën juridike të Kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, objektet fetare janë të pavarura nga shteti, dhe ndërtimi i tyre nuk financohet nga buxheti i shtetit por nga iniciativa qytetare të bamirësve. Po të kishte argumente më të shtjelluara për thyerje të këtyre dispozitave dhe për favorizim të ndonjë komuniteti fetar në tekst, atëherë përmbajtja do të dukej shumë më ndryshe dhe do të ishte shumë më afër rregullave profesionale dhe etike.

 LIGJ PËR POZITËN JURIDIKE TË KISHËS, BASHKËSISË FETARE DHE GRUPIT RELIGJIOZ

 Neni 32

Të hyrat e kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz janë nga: financimi

vetjak, filantropia private, donacionet dhe nga forma të tjera të financimit

Neni 33

(1)“Kisha, bashkësia fetare dhe grupi religjioz vetë disponojnë me të hyrat e

fituara, në pajtim me ligjin dhe me dispozitat e kishës, të bashkësisë fetare dhe

grupit religjioz”

(2) ”Financimi i kishës, i bashkësisë fetare dhe grupit religjioz, si dhe

harxhimi i mjeteve financiare është sipas rregullativës për organizatat

jofitimprurëse dhe organizatat me interes publik”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button