Minatorët e Trepçës në kushte të mjerueshme

Dikur ishte një nga ndërmarrjet kryesore të ekonomisë në ish Jugosllavi. Mbi 20% të eksportimeve që bëheshin nga e gjithë Jugosllavia ishin nga gjiganti metalurgjik “Trepça” me flotacion në Stantërg. Por, ky eksport dhe prodhim pas luftës së fundit në Kosovë, kishte filluar gradualisht të bie derisa tani “Trepça” ka ardhur në një pikë ku rrezikohet të falimentojë, transmeon Kosovapress.

Nga investitorë të huaj dhe vendorë, në “Trepçë” investime pati shumë pak. E kjo ka bërë që shumë prej mjeteve të punës me të cilat punojnë minatorët në “Trepça” të vjetërsohen. Ky vjetërsim i mjeteve të punës ka bërë që niveli i prodhimit të bie dhe rreziku për jetë i punëtorëve të rritet. Por, minatorët dhe menaxhmenti i “Trepçës” ka kohë që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të miratojë Ligjin për Trepçën me të cilin synohet që kjo ndërmarrje metalurgjike të kthehet nën menaxhim dhe pronësi të Republikës së Kosovës.

“Kohë të artë e Trepçës” e quajnë minatorët kohën para vitit 1999. Kjo, pasi që Trepça ishte në kulmin e prodhimit dhe funksionimit të saj. Mosha e minatorëve që punojnë në Trepçë, sillet prej 50-60 vjeç.

Miniera e “Trepçës” hyrjen kryesore përmes të cilës minatorët lëshohen në horizontet minierës e ka afër zyrave kryesore të kësaj ndërmarrje. Drejtori i minierës, Qazim Jashari nga fillimi i rrugës shoqëroi ekipin tonë ku na tregoi punishtet dhe makinat me të cilat punojnë minatorët.

“Tash jemi te hyrja e minierës me reputacion Trepça në Stantërg. Tash, këtu është hyrja, këtu do të hyjmë dhe do të shkojmë në horizontin e nëntë. Do të zbresim. Pastaj, edhe në horizontin e dhjetë do t’i shohim punishtet, do t’i shohim makinat ku punojnë minatorët. Kjo është hyrja kryesore ku duhet hyrë në minierë”, tha ai.

Për t’u lëshuar në horizontet e minierës, duhen shfrytëzuar kafazet ose makinat ngritëse të cilat datojnë qysh nga viti 1954. Pavarësisht një moshe 62 vjeçare, këto makina sipas Bajram Mahmutit, janë në gjendje të rregullt falë mirëmbajtjes së tyre.
“Makinat ngritëse janë diku prej vitit 1954, domethënë që ka filluar me punuar, janë dy kafaze. Kafazet janë dy-katëshe. Makina ngritëse është prej vitit 54, është në gjendje shumë të mirë, domethënë është në rregull. Mirëmbajtja është në nivel të duhur. Shpejtësia minimale ose maksimale është mbi 6 metra në sekondë, mirëpo vozitja nuk bëhet. Diku 4 metra në sekondë është kafazi kur është me punëtorë. Materialet bëhen në vozitje normale deri në 4 metra për sekondë, 3.5 metra në sekondë varësisht prej peshës. Makina është e vjetër por mirëmbajtja jonë është mirë. Mund të funksionojë akoma”, tha ai.

Komunikimi në minierë bëhet përmes telefonave kabllorë, pasi që në thellësi qindra metra nën tokë telefonat me valë nuk funksionojnë. Por, në hyrje të minierës u shfaqën problemet e para me lidhjet telefonike pasi që sipas telefonistittë minierës “Trepça” Murat Xhafa, lidhja telefonike kishte marrë një lidhje të shkurtër dhe për momentin ishte jashtë funksionit.

“E kemi një lidhje të shkurtër ose ndërprerje për telefoni. Jemi duke e kontrolluar prej daljes së dytë në veri e kemi me shkuar deri në Jug poshtë. Është ndërprerë lidhja në telefon. (KP) A mundet me i pengu punëtorët kjo? Po nëse nuk ka lidhje telefoni i pengon. (KP) A ndodh shpesh kjo? Jo nuk ndodh shpesh. Mundet me qenë edhe prej lagështie sepse është e ndjeshme lidhja telefonike”, tha ai.

Edhe nga pamja të cilën kanë mjete e komunikimit në minierën e Trepçës, shihen se janë të vjetruara.

Pas luftës së fundit, minatorët tregojnë se punojnë në kushte të rënda. Sipas Sabit Barduzit, në vitet 1980-1999 asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos punohet për shkak të mungesës së makinave ose municionit, ndërsa tani kjo ndodh shpesh. Por ai mban shpresë se me Ligjin për Trepçën, kjo do të rregullohet.

“Punojmë me mjete të vjetra, me makina të vjetra. Si para lufte, mjetet i kemi të vjetra, mjete të reja nuk kemi…para lufte kanë qenë kushtet më të mira sepse s’ke pas me nejt për mjete kurrë. Pas lufte ka pas rast kemi qëndru pa punu për municion, kemi pas rast që kemi qëndru për makina që nuk kemi pas por qysh kemi mundur kemi punuar….ne kërkojmë për me u bërë Ligji për Trepçën për punë me marrë punëtorë të ri, me m arrë mjete më shumë, me u zgjerua puna më tepër, se na të vjetrit gati e kemi me krye. Me mbet në dorë të rinjve. Me ligjin rregullohet gjithçka, gjithçka bëhet më mirë. Si të bëhet ligji, bëhet më mirë”, tha Barduz.

Minatori Faik Mehmeti në Trepçë punon qysh nga viti 1976. Por, edhe pse është 61 vjeç, ai e do këtë punë. Megjithatë, ai ankohet se mjetet e punës me të cilat punon, janë të vjetra. Më tej, ai thotë se edhe minatorët që punojnë janë të shtyrë në moshë.
“Mjetet janë të gjitha të vjetra. Ne qysh po mundemi jemi duke e shtyrë punën me çfarë mjetesh jemi duke punuar. Si me makina si me Kavea, si me Toro, ma të vjetra s’ka ku shkon. E dyta mosha e bënë të veten. Me kanë mirë e mbarë i sha në pension që 10 vjet. 61 vjet i bëjë tani me 11 qershor e hala jam në makinë. Përpara 2-3 vjet para pensionit i qitshin disa punë të lehta e ne sot në këtë moshë në botë nuk ka veç këtu te ne ndodh, në minierën tonë në Kosovë… Në kohën më të hershme mjetet kanë qenë më të mira. Përpara e kemi pasur edhe sigurimin, sot nuk ke sigurim sikurse të punosh në pijac. Në botë nuk ka sot mu lëndu e veç 70% me u pagua. Kjo ndodh vetëm tek ne. Thua ti që jemi ne në park t’u punu, në zyre apo në kompjuter. Këtu mundesh me u vra e me mbet krejt, mundesh me mbet sakat e 3 muj ditë paguan. Mas tre muaj ditësh Zoti ta bëftë qaren. Qat ndihmë e kemi ne”, tha Mehmeti.

Edhe në horizontin e njëmbëdhjetë ku bëhet përgatitja e transportit të xeheve për jashtë minierës ankohen për mjete të vjetra të punës. Bile ata kërcënojnë me protestë Qeverinë nëse nuk miratohet Ligji i Punës dhe nuk përmirësohen kushtet. Kështu tha Shahin Paci, një tjetër minator.

“Nga Qeveria e kemi të vetmen kërkesë, që ajo të angazhohet maksimalisht që të dihet ku po mbetet Trepça. Ligji për Trepçën, kjo është ajo që duhet të jetë. Pastaj duhet të jetë Ligji i Punës. Ne nuk kemi asnjë lloj sigurie. Ikemi minatorët që para pensionit nuk është Ligji i Punës. Është tragjedi jashtëzakonisht e madhe nëse minatorët shkojnë me 50-60 euro në pension. Kjo është tragjedi pas 8 viteve shtet. Kjo Qeveri duhet maksimalisht – të ecim përpara se ky është promotori i ekonomisë së Kosovës. Mos të harrojmë, nëse ata dështojnë në këtë aspekt ka dështuar Kosova. Është dashur që edhe ata të jenë më të sinqertë sepse një ditë edhe ne do të jemi në Prishtinë”, tha ai.

Përderisa drejtor i minierës me Flotacion “Trepça” në Stantërg, Qazim Jashari tregon se në Trepçë punohet me makineri të vjetra deri në 40 vite ai pret se me miratimin e ligjit për Trepçën nga Qeveria e Kosovës, Trepça do të kthehet në epokën e saj.

Qazim Jashari: Nuk kemi pasur investime

“Ne në minierë kemi filluar punën pas lufte. E kemi gjet minierën pothuajse pa makina. Çka kemi gjet makina kanë qenë të vjetruara, i kemi riparuar dhe me to jemi duke punuar. I kemi ble disa makina, por shumë pak sepse nuk kemi pasur investime. Me ato makina të vjetra jemi duke mbijetuar, dhe Ligji për Trepçën na ka pengu shumë sepse menaxhohet nga AKP….një mjet i cili është i ri ka kapacitetin më të madh dhe prodhim më të madh, ndërsa një mjet i punës i cili nuk i bashkon dy ndërrime pa u prish, d ihet mirë. Sepse një makinë ngarkuese është e vitit 1982-1983, dhe ajo është e ndryshkur. Kështu që i kemi disa makina që i kemi marrë, por jo të mjaftueshme por shumica janë të vjetra që punojmë me to”, tha ai.

Jashari, gjithashtu tha se minatorët janë të vendosur që “Trepçën” ta mbajnë dhe që Qeveria duhet t’i ketë 100% asetet e saj. Sipas tij, për Trepçën nuk duhet në asnjë mënyrë të bisedohet në Bruksel.

“Trepça është e Kosovës dhe në Bruksel s’ka pse bisedohet. Do të bisedohet këtu. Ligji për Trepçën e cila pritet në pjesën e parë të këtij viti – Trepça do të jetë e Kosovës…jo sigurisht nuk do të vendosë të bisedohet për Trepçën në Bruksel. Nuk janë aq naiva, besoj që me bisedua për Trepçën në Bruksel çka ka me bisedua kur Trepça është në Kosovë”, tha ai.

Për nga resurset minerare të Kosovës, ndërmarrja “Trepca” daton qysh nga viti 1927. Mineralet e saj për herë të parë janë shfrytëzuar nga një firmë britanike. Gjatë viteve 1980, “Trepca” kishte përbërë 70% të pasurisë minerare të ish-Jugosllavisë dhe kishte të punësuar rreth 20 mijë punëtorë. Për dallim nga tani në vitin 2016 që ka rreth 700 punëtorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button