Ngecja e karvanit!

Me këtë trend të ashpërsimit të gjuhës së komunikimit, me këtë kulturë të degraduar politike, zgjidhje të krizës nuk do të ketë pa reagim gjithëqytetar. Kriza politike, e cila ka përfshirë vendin që nga muaji shtator, është duke u thelluar çdo ditë e më shumë. Kjo krizë politike po shkon drejt thellimit, drejt një rruge qorre. Me kulturën e degraduar politike, kriza po thellohet më shumë! Nuk ka shenjë se pozita dhe opozita do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, dhe se kriza do të vazhdojë të rritet. Fjalori politik mes pozitës dhe opozitës është duke u ashpërsuar, dhe nuk ka shenja për ndonjë marrëveshjeje politike. Kriza politike në vend po vazhdon e kjo nuk dihet se deri kur do të vazhdojë. Prandaj, në situatën në të cilën është vendi momentalisht, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin mënyra më e mirë për të dalë nga kriza, por që edhe ky proces do të mund të ishte një rrezik për shkak të një lloj konflikti mes partive, do të mund të përcillej edhe tek qytetarët. Dështimi i opozitës në këtë përpjekje të saj për denoncimin e qeverisjes së keqe të koalicionit mund të vijë si pasojë e mbajtjes sekret, ose të mospasjes akoma të një strategjie të përbashkët, plani të veprimit për ndryshime nga kjo qeverisje e keqe e koalicionit PDK-LDK.
Gabimet e opozitës!
Deri më tash opozita, përveç protestave për kundërshtimin e dy marrëveshjeve, atë të Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, kauzën e saj nuk e ka zgjeruar, prej të cilave qytetarët po vuajnë, si: korrupsioni, keqqeverisja, kapja e shtetit etj. Ky është një gabim trashanik i opozitës, që protestat i ka fokusuar kryesisht vetëm në këto dy marrëveshje. Nëse opozita e zgjeron kauzën e saj në protestat e 26 marsit, do të kishte një protestë gjithëpopullore dhe, pa dyshim, ky pushtet kriminal do të dridhej dhe reflektimi do të ndodhte. Opozita duhet ta ketë parasysh edhe një gjë, se zgjedhjet mund t’i fitojë vetëm nëse bëhen të gjitha partitë opozitare bashkë, por duke përfshirë në atë listë gjysmën e kandidatëve nga shoqëria civile, mediet dhe personalitete të pavarura dhe të respektuara në opinion. Në këtë plan deri tash opozita nuk ka dhënë asnjë shenjë, as për zgjerimin e kauzës së saj, as për formimin e një fronti të madh opozitar, por as ftesë personaliteteve të respektuara në opinion, për ta përmbysur këtë regjim kriminal dhe mafioz. Pa një platformë të qartë qeverisëse, pa formimin e një fronti të madh opozitar dhe ftesë të të gjitha personaliteteve të respektuara në opinion, edhe nëse shkohet në zgjedhje, opozita e ka të vështirë ta marrë besimin e popullit dhe rezultati do të dilte i njëjtë me PDK-në në vend të parë.
Dhe me të drejtë do të shtrohej pyetja: çfarë do të ndodhte tutje kur PDK-ja do të dilte prapë partia e parë?
Opozita duhet të lëvizë, t’i lërë anash përçarjet dhe ta mobilizojë elitën intelektuale!
I bie që opozita ose disa parti të opozitës të bënin koalicion me PDK-në, me Kadri Veselin kryeministër dhe të nënshtroheshin siç u nënshtrua LDK-ja, kur shkoi në prehrin e PDK-së dhe lidhi koalicion me SHIK-un. Nëse opozita e ka seriozisht largimin nga pushteti të kësaj qeverie kriminale, atëherë duhet të jenë më të bashkuar se kurrë, duke e zgjeruar kauzën e saj me gjëra që po e shkatërrojnë këtë popull, por njëkohësisht edhe zgjerimin e saj me personalitete të respektuara në opinion, të cilët në vazhdimësi kanë qenë kundër këtyre pushtetarëve mafiozë. Në të kundërtën opozita karshi qytetarëve do të jepte një mesazh të keq, që edhe opozita nuk e ka hallin e shtetit dhe të qytetarëve të saj, por halli i tyre është ardhja në pushtet. Prandaj opozita duhet të lëvizë, t’i lërë anash përçarjet dhe ta mobilizojë elitën intelektuale, për ta larguar sa më parë këtë pushtet kriminal, të cilët janë shndërruar në kancerin e gjithë shoqërisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button