Këshilli Opozitar: Në Maqedoni shumëçka jolegjitime, përveç idealeve të popullit shqiptar

Pas deklaratës së Prokurores Speciale, Katica Janeva se të gjitha zgjedhjet në Maqedoni që nga viti 2011 e deri tani janë jolegjitime , me çka vihet në pikëpyetje edhe legjitimiteti i presidentit, deputetëve dhe Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar edhe Këshilli Opozitar.
Në reagim thuhet se deklarata e Prokurores Speciale vetëm e dëshmon atë që ky Këshilli e ka përsëritur në kontaktet me qytetarët, e që ka të bëjë me të vërtetën se shqiptarët e Maqedonisë, janë të papërfaqësuar dhe përballen me institucione të privatizuara e të partizuara shtetërore, që janë në shërbim të “sekteve” partiake të VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së.

“Këshilli Opozitar e ripërsërit se krimi i pafalshëm që ia bënë popullit të vet politikanët injorantë dhe të papërgjegjshëm të BDI-së dhe PDSH-së, është se ata, duke e ditur se nuk e kanë mbështetjen e popullit, – u bënë shërbëtorë të qarqeve antishqiptare politike e policore maqedonase, me çka u shndërruan në mbulesë për realizimin e projekteve të cilat e deshqiptarizuan Maqedoninë si dhe për aksione policore nëpër vendbanimet shqiptare e që u paraprinin proceseve të montuar gjyqësore”, thuhet në kumtesën e Këshillit Opozitar.

Andaj, thuhet në kumtesë, Këshilli Opozitar mbetet i përkushtuar në formimin e frontit opozitar pjesë e të cilit do të jenë individë, organizata joqeveritare, parti opozitare…, “me të cilat bashkërisht do ta luftojnë të keqen që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare në Maqedoni, ndërsa votuesve do t’ua kthejë më të shenjtën që u takon atyre e që ua mori BDI-ja dhe PDSH-ja, votën e lirë dhe të drejtën që të kenë përfaqësues të vet legjitimë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button