Shkupi 2014

Shkruan: Fatjon Brahaj

Të flasësh për çështje patriotike i ulur në karrige nuk qënka njësoj sikur të dalësh vetë dhe të shikosh se sa patriot, se sa shqiptardashës qënke. Nuk kisha parë ndonjëherë një kryeqytet aq mirë të strukturuar sa Shkupi: I) i strukturuar mirë nga ana arkitekturore dhe infrastrukturale; II) i strukturuar mirë nga ana institucionale; III) i strukturuar mire nga ana e ruajtjes kulturore; IV) i strukturuar mire nga ana dredharake. Më intereson ta analizoj pikën e fundit që e para qëndron për nga rendësia: Maqedonia nuk ka nevojë për libra historie, le t’i djegim librat!! Historinë e vet e ka gdhendur në kryeqytet; e shohin të gjithë: maqedonas, turistë,por e shohin dhe shqiptarët. Po si e shohin shqiptarët??! Si e pashë unë që nuk jam historian? Historia maqedonase e sublimuar në Shkup më bëri të turpërohem. Nuk ke pse të ndjesh urrejtje, përkundrazi duhet të turpërohesh për historianët, politikanët dhe udhëheqësit tanë- flliqësirat që të kollarisur nëpër lokale, media dhe gjetkë na hiqen si intelektualë, si burra të mirë, si HISTORIANË. Shkupi 2014 nuk kishte asnjë gjë që i takon shqiptarëve, shqiptarët ndiheshin të vdekur mes skulpturave që si të gjalla dukej se thoshin :”Nuk ua bëmë ne, ja keni bërë vetes!” Po po, ja kemi bërë vetes,se ne nuk na ka interesuar ndonjëherë historia, nuk na kanë interesuar ndonjëherë vëllezërit që gjenden në Maqedoni. Na ka interesuar lluksi i të dukurit “politikan”, dalja në media, kostumet e shtrenjta dhe PARTIA. A i ka interesuar ndonjëherë dikujt se si ndihen shqiptarët e Maqedonisë kur shohin “Shkupin 2014″? Unë nuk i pyeta se si ndihen, nuk mund t’i pyesja, e si t’i pyesja kur ne nuk bëmë ndonjëherë gjë për ta. Përpara tyre ngrihej kultura dhe histora sllave, ndërkohë që historianët, intelektualët dhe politikanët tanë merren me çështje më të rendësishme, të tipit :” Kujt t’ja shkruajmë emrin në historinë e klasës së 9-të: ‘Sali-ut’ apo ‘Edvin-it’?”* Ky nuk ishte një kryeqytet që reflektonte harmoni, lumturi apo dashuri – pasqyronte mendjemadhësinë, urrejtjen dhe përbuzjen kundrejt një kulture dhe historie tjetër, të quajtur ” historia e vendasve- shqiptarëve”. Pavarësisht kësaj, kishte shpresë që vetë shqiptarët e Maqedonisë do ta ndryshonin Shkupin, nga “Shkupi 2014” në “Shkupi i vërtetë” dhe kjo mund të niste nga Qarshia, aty ku dashuria dhe harmonia mes vëllezërve thyente çdo qytet skulpturash. Nga Shqipëria dhe Tirana e sotme nuk kanë pse të presin, është kokë e trevave e quajtur gabimisht e tillë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button