Tahiri: BE po angazhohet intensivisht për çështjen e kodit telefonik për Kosovën

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka reaguar ndaj marrjes së kodit telefonik për Kosovën nga ITU-së, marrëveshje e cila është dashur të realizohet më 1 mars të këtij viti.

Lidhur me këtë, ministrja Tahiri dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesit e BE-së të angazhuar në Dialogun e Brukselit për të shprehur shqetësimet në lidhje me moszbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën për të cilën presioni i opinionit publik dhe i mediave në Kosovë është gjithnjë në rritje.

Ajo ndër të tjera ka përkujtuar BE-në se çështja e telekomit dhe në veçanti çështja e kodit telefonik për Kosovën janë në tryezën e bisedimeve tash gati pesë vjet (që nga 2011), ndërsa marrëveshja është arritur në shtator 2013,  porse që nga ajo kohë zbatimi ende nuk ka ndodhur.

Ndërsa, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë njoftuar se Bashkimi Evropian po angazhohet intensivisht për çështjen e kodit telefonik për Kosovën dhe se kjo marrëveshje do të realizohet sa më shpejt që është e mundur.

Ata kanë theksuar se procesi po shkon drejt finalizimit dhe janë disa çështje më tepër të natyrës teknike të cilat po marrin kohë, mirëpo janë shprehur optimistë se do të zgjidhen shpejtë.

Bashkimi Evropian ka siguruar se marrëveshja e Brukselit për këtë çështje do të zbatohet dhe që Kosova dhe qytetarët e saj do ta kenë kodin telefonik për vendin e tyre, për të cilën përkushtimi i BE-së mbetet i plotë.

Po ashtu, zyrtar të BE-së kanë thënë se janë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme kjo çështje për qytetarët e Kosovës, si dhe e kanë parasysh se bisedimet për kodin telefonik kanë zgjatur me vite dhe se zbatimi i saj është vonuar, mirëpo kanë shprehur përkushtimin për ta përmbyllur këtë çështje, ndërkohë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Kosovës me premtimin se në mënyrë prioritare do të zgjidhet.


Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button