Dëshmitë janë vetë lajmi!

[Recension: Cili ishte mesazhi i fundit i Mirsad Ndrecaj që i kishte dërguar Ali Ahmetit]

Lajmi duhet bazuar në dëshmi dhe fakte relevante. Një fotografi nuk dëshmon asgjë, aq më tepër kur autenticiteti i së njëjtës nuk mund të përcaktohet, në bazë të asaj që shihet si fotografi e bashkëngjitur në lajm. Për një burim informacioni si ky, fotografi nga një mesazh telefonik, gazetari duhet të sigurojë dëshmi plotësuese, të cilat zbulojnë më tepër për marrëdhëniet e të apostrofuarve, e jo të komentojë atë duke bërë vlerësime, të cilat në fakt duhet t’i bëjë lexuesi.

Përmbajtja ngatërron lisat me fshesat. Flet për një mesazh, e fillon me një bisedë telefonike dhe përmend një vizitë të gazetës “Lajm” tek familja e të ndjerit. Kjo krijon hamendje për lexuesin, pasi nuk dihet se ku është vendosur theksi i lajmit.

Kohë më parë familja Ndrecaj ka publikuar një porosi telefonike që Mirsad Ndrecaj – komandant NATO i kishte dërguar kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Në ditën kur ishin bërë 3 muaj nga konflikti i Kumanovës, gazeta “Lajm” kishte vizituar familjen e njërit prej udhëheqësve të grupit të armatosur në përleshjet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Cili ishte mesazhi i fundit i Mirsad Ndrecaj screenshotLinku deri te artikulli origjinal: Cili ishte mesazhi i fundit i Mirsad Ndrecaj që i kishte dërguar Ali Ahmetit”
Data dhe koha e publikimit: 161.03.2016
Data e recensionit: 16.03.2016
Recensues: Adrian Kerimi

“Provimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura”.

Në një nga paragrafët (në këtë pasues) theksohet një emër tjetër, i cili sipas përmbajtjes është personi që ka siguruar foto-mesazhin. Kjo, sipas standardeve të gazetarisë profesionale, është edhe drejtimi në të cilin duhet të trajtohet çështja. Personi me emrin Ylber, është kyç për të dëshmuar autenticitetin e mesazhit,  ndërsa prononcimi i tij (për këtë të fundit autori nuk tregon nëse ka provuar të marrë qëndrim ose jo), do të zbardhte dhe do të hidhte dritë mbi këtë çështje.

Vëllai i Mirsadit, Ylberi, i kishte treguar mesazhin e fundit që ia ka dërguar ai kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, disa muaj para konfliktit të Kumanovës. Në këtë porosi vërehet qartë revolta e Mirsadit ndaj Ali Ahmetit, të cilin mes tjerash e quan edhe “parashutist dhe vrastar”.

Në tekst mungon pala tjetër, ndërsa sipas asaj që lexohet në përmbajtje, nuk ka asnjë indikacion se ka pasur tentim për t’u kontaktuar me këtë palë. Kujtojmë Kodin etik, Neni 1, paragrafi 5 i cili thotë: “Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u jep mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vije në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës”.

Duhet pasur parasysh se një tekst dhe një fotografi nuk mjafton për të dëshmuar çfarëdo çështje për të cilën raportohet. Madje, duhet pasur kujdes në raste të tilla, pasi që, përveç fotografive, edhe audio incizimi nuk merret për dëshmi, por vetëm si bazë për të vazhduar hulumtimin.

Megjithatë, vetë lajmi, sa është prekës në emocionet e njerëzve, aq është edhe tendencioz. Në të, përveç elemente të cilat i përmendëm që mungojnë, nuk është i nënshkruar dhe nuk dihet as autori. Ky është veprim që po bëhet i ‘zakonshëm’ për një pjesë të mediave në Internet (portaleve), e posaçërisht kur raportojnë për raste delikate dhe spekulative. E, nuk duhet të jetë ashtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button